Kurti: Kurti këmbëngul për zgjedhje: “Vetëm populli vendos për qeverinë”

Prishtinë, 3 maj 2020 – Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, nëpërmjet një videomesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës, me titull “E ardhmja e përbashkët që na pret”, sikur e ka nisur fushatën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat i cilëson sit ë pashmangshme.

Kurti ka marrë shkas nga tremujori i themelimit të qeverisë që e drejton për të lavdëruar punën kësaj qeverie dhe për të komprometuar kundërshtarët politikë të tij, të cilët e rëzuan qeverinë e tij dhe tani po bëjnë përpjekje për formiminn e një qeverie të re.

Në pjesën e parë të mesazhit, ai e ka lavdëruar punën tre-mujore të qeverisë së tij, të cilën e ka quajtur qeveri të ndryshimit.

“Në më pak se tre muaj, ne kemi ulur shpenzimet dhe privilegjet e qeverisë, kemi zvogëluar kabinetin qeveritar duke kursyer para, por edhe duke parandaluar abuzimin me pozita shtetërore. I kemi zbritur pagat e qeveritarëve, por ama nuk i prekëm rrogat e gjuqtarëve e prokurorëve, të cilët kanë barrën dhe përgjegjësinë e luftimit të krimit e korrupsionit dhe të vendosjes së drejtësisë. Kemi larguar pozita sikurse koordinatorët nacionale, të cilat ishin krijuar për të rehatuar persona me rroga nga taksat e qytetarëve. Pra, kemi qeveri më të lirë, më të vogël, por më të mençur dhe më efikase”, ka thënë ai.

Kurti i ka përmendur disa prej vendimeve dhe masave që ka marrë Qeveria e tij gjatë këtyre muajve, në disa prej fushave me rëndësi vitale për shtetin dhe qytetarët. Ai e ka vlerësuar menaxhimin me suskes të krizës së shpaktuar nga epidemia e koronavirusit.

Ai i ka përmendur edhe disa prej nismave që ishin pjesë të programit qeverisës, si nisma për procesin e vetingut në drejtësi.

Kryeministri në detyrë ka theksuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pengesat kryesore për ndryshime dhe për këtë i ka akuzuar, siç ka thënë ai, “ata lart”.

“Ju duhet të jini krenarë, që të gjithë, sepse ne po tregojmë se nuk na mungon as dija dhe as vullneti për të bërë shtetin që duam. Pengesë është vetëm korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar, i cili organizohet shumë shpejt atje lart, kur iu preken interesat financiare dhe familjare”, ka theksuar ai

Kurti ka folur edhe me këtë rast për rrëzimin e qeverisë së tij dhe për përpjekjet për formimin e qeverisë së re në Kosovë.

“Në mbarë botën, kur COVID u shpall pandemi, ne pamë se si forcat politike i lanë mënjë anë dallimet dhe u fokusuan në shpëtimin e jetës së qytetarit. Te ne, fatkeqësisht, pamë se si disa akterë në vend se të fokusoheshin në luftimin e përbashkët të pandemisë, filluar luftimin e përbashkët të Qeverisë dhe të Kryeministrit tuaj. Në vend që të ndihmon qeverinë për të ndalur virusin, ata e ndihmonin virusin duke e sfiduar Qeverinë në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur ai.

Kurti i ka akuzuar Presidentin, opozitën dhe partnerin e koalicionit qeverisës që u prish, se krizën e pandemisë e panë si rast për të përfituar për veten e tyre.

“Presidenti, opozita dhe partneri ynë i koalicionit u bënë bashkë që krizës shëndetësore, e cila po bëhej edhe ekonomike, t’ia shtonin edhe një të tillë politike. Pandemia ishte e pashmangshme dhe kriza ekonomike e paevitueshme, por kriza politike ishte edhe e parsyeshme edhe e panevojshme”, është shprehur ai.

Kurti ka thënë se qeveria e tij u rrëzua nga ata që “duan një marrëveshje të shpejtë për gjendje të jashtëzakonshme e copëtimin e territoreve”.

“Arsyet e rrëzimit të Qeverisë, tashmë janë të ditura. Ato nuk kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë, pasi atë e kemi menaxhuar më së miri. Ato nuk kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit, nuk kanë të bëjnë me sundimin e ligjit e as me mbrojtjen e demokracisë. Qeveria u rrëzua sepse duan një marrëveshje të shpejtë për gjendje të jashtëzakonshme e copëtim të territoreve, gjë që nuk mund t’i bënin me këtë qeveri e me mua kryeministër”, ka theksuar ai.

Kurti e ka akuzuar Presidentin e vendit dhe liderët e partive politike që po përpiqen të formojnë qeveri të re se po përpiqen të shmangin zgjedhjet e parakohshme.

“Tani që e rrëzuan Qeverinë duan t’i shmangin zgjedhjet e kështu ta shmangin vullnetin e popullit. Por, duhe ta kuptojnë një gjë: kolltuku i Kryeministrit nuk është vend i punës që fitohet përmes gjykatës, por vend i shërbimit që fitohet nga vota e qytetarëve”, ka theksuar ai.

Kurti ka kritikuar përpjekjet që po zhvillohen për krijimin e Qeverisë së re, duke u thirrur në Kushtetutën e vendit.

Sot jemi në një situatë ku vlerat dhe idealet që garanton dhe proklamon Kushtetuta jonë, liritë dhe arritjet që kemi bërë të kërcënohen nga klub i njerëzve të cilët mohojnë jo vetëm ndryshimin progresist, por edhe vetë kuptimin e demokracisë, duke mohuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sot po synojnë që me të njëjtën Kushtetutë, që dikur e përdornin për të legjitimuar veprimet e tyre, të mohojnë kësaj radhe të drejtën tone”, ka thënë ai.

“Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë pushtet pa zgjedhje. Protestat tona kanë pasur synim që të ndalin vendimet që cenojnë sovranitetin e Kosovës, integritetin e saj institucional e territorial. Ne kemi qëllim proceset demokratike të shtetndërtimit dhe jo praktika të pushtetit të korruptimit. Kurr nuk kemi kërkuar të udhëheqim qeverinë pa fituar, sepse një qeveri ka legjitimitet kur bazohen në fuqinë e votës”, ka thënë ai.

“Ne kemi fituar Qeverinë mbi bazën e rregullave që i ka vendosur vetë Gjykata Kushtetuese e rregullat e njëjta nuk mund të thonë një herë një gjë e një herë tjetër një gjë tjetër. Kushtetuta është document në shërbim të idealeve dhe aspiratave tona më të larta, por çdo herë është populli ai që I jep edhe kuptim edhe fuqi Kushtetutës”, është shprehur Kurti.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar edhe me këtë rast se qeveria legjitime e Kosovës mund të zgjidhet vetëm përmes votës së qytetarëve dhe ka paralajmëruar rezistencë të qytetarëve ndaj përpjekjeve për zgjedhjen e qeverisë, siç është shprehur, “përmes tavolinave”. Ai ka thënë se në Kosovë do të ketë zgjedhje, menjëherë pas përfundimit të krizës së pandemisë së koronavirusit.

“Para tre muajve, në foltoren e Parlamentit, unë ju drejtova juve për herë të parë si kryeministër dhe thashë se po e hapim një kapitull të ri në Republikën e Kosovës dhe se ajo që ngjante e pamundur ishte kështu vetëm në dukje, sepse një popull që refuzon të nënshtrohet e bën gjithçka të mundur. Është populli që me zgjedhjen e tij të lirë, me pjesëmarrjen dhe veprimet e tij, i jep gjallërinë e domodsoshme dhe domethënien e nevojshme Kushtetutës dhe ligjeve tona. Ndryshimin që kemi bërë më 6 tetor, përmes zgjedhjeve të lira, nuk mundet askush të na e rrëmbejë përmes tavolinave. Ne jemi qytetarë që kemi luftuar përjetësisht e historikisht dhe nuk kemi duruar kurrë robërinë, nuk kemi duruar kurrë as pushtues të jashtëm, por as sundimtarët e brendshëm. Populli është burimi i sovranitetit. Vetëm ai cakton se kush udhëheq me qeverinë në shtetin tonë sovran. Tash vëmendja dhe përkushtimi duhet të jenë që ta tejkalojmë pandeminë e pastaj të kthehemi në zgjedhje për qeverinë”, ka theksuar Kurti. (r.m.)

E ardhmja e përbashkët që na pret

E ardhmja e përbashkët që na pret.

Posted by Albin Kurti on Sunday, May 3, 2020

 

Comment

*