Kurti: Ky nuk është rezultati që ne e prisnim

Prishtinë, 23 tetor 2017 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili konsiderohet lider i kësaj partie, është shprehur i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale.

Kurti, në një postim në Facebook, ka konfirmuar se ky nuk është rezultati që e priste Vetëvendosje, ndonëse numri i votave të këtyre zgjedhjeve është pothuajse dyfish më i madh se në zgjedhjet e kaluara lokale.

Kurti ka thënë se ky rezultat duhet të trajtohet “me vetëkritikë” dhe ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim partia do të reflektoje “mbi strategjitë e veprimet”.

“Sigurisht kjo duhet trajtuar edhe me vetëkritikë. Këto ditë duhet të jenë edhe ditë analize konkrete sipas komunave dhe ditë reflektimi mbi strategjitë e veprimet: cilat janë dobësitë e organizatës sonë dhe si mund t’i rregullojmë ato; cilat janë mangësitë e ligjërimit tonë dhe si mund t’i plotësojmë ato”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

 

Të nderuar mbështetës e simpatizues, të dashur aktivistë të Lëvizjes.

Rezultati i zgjedhjeve lokale 2017 ishte gati dyfishim i atij të zgjedhjeve lokale katër vite më parë. Më 3 nëntor 2013 hymë në balotazh vetëm në kryeqytet dhe asokohe si të dytët. Me 22 tetor 2017, përveç në kryeqytet ku prin Shpendi, jemi në balotazh edhe në pesë e ndoshta edhe gjashtë komuna të tjera.

Megjithatë, ky rezultat nuk ishte ai që shpresonim dhe as ai që prisnim. Sigurisht kjo duhet trajtuar edhe me vetëkritikë. Këto ditë duhet të jenë edhe ditë analize konkrete sipas komunave dhe ditë reflektimi mbi strategjitë e veprimet: cilat janë dobësitë e organizatës sonë dhe si mund t’i rregullojmë ato; cilat janë mangësitë e ligjërimit tonë dhe si mund t’i plotësojmë ato.

Më lejoni t’i përgëzoj me gjithë zemër Basri Kodrën, Qëndron Kastratin, Ajet Poterën, Sami Kurteshin, Mytaher Haskukën dhe Shpend Ahmetin për balotazhin, e uroj që edhe Besim Muzaqi të mbërrijë në balotazh.

Këto komuna janë gjysma e Kosovës. Të punojmë me gjithë kapacitetin tonë që këto komuna të ecin përpara në rrugën e zhvillimit dhe të bëhen model për gjithë Kosovën.

(r.m.)

Comment

*