Kurti: Lugina e Preshevës mbeti jashtë Kosovës dhe jashtë Shqipërisë

Prishtinë, 23 maj 2018 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ka pritur një grup prej rreth 30 studentësh të rinj, pjesëtarë të organizatës “Shpresa” në Luginë të Preshevës.

Në një kumtesë të kësaj partie thuhet se Kurti e ka vlerësuar lartë kontributin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës për Kosovën dhe për Shqipërinë, , në luftë dhe në paqe, por ata e paguan çmimin më të lartë në fund, sepse mbetën edhe jashtë Kosovës edhe jashtë Shqipërisë.

Kryetari i organizatës “Shpresa”, Nevzad Lutfiu, njoftoi Kurtin për programin dhe aktivitetet e kësaj organizate.

Gjatë takimit u bisedua për temae shqetësime të shumta të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si: mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës nga Serbia, shpërngulja e popullsisë dhe rënia e vazhdueshme e nxënësve shqiptarë në shkolla, etj.

Mysafirët e vlerësuan të domosdoshëm një angazhim serioz të Prishtinës dhe të Tiranës për të ndihmuar e përkrahur shqiptarët e Luginës, të cilët janë të privuar nga shumë të drejta individuale e kolektive.

Ata kërkuan që shqiptarët në Luginë të Preshevës të kenë të drejta të barabarta me serbët në Kosovë dhe kërkuan që anetarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe me respektimin e të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. (r.m.)

Comment

*