Kurti: Me marrëveshjen PAN-AKR formimi i institucioneve i lihet në dorë të Vuçiqit

Prishtinë, 5 shtator 2016 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se bashkimi i AKR-së me PAN-in ka bërë që konstitutimi i institucioneve të reja të Republikës së Kosovës të varet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pas marrëveshjes së mbrëmshme, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit”, tha Kurti në një postim në Facebook.

“Pushteti i varur nga Serbia, e var pavarësinë e shtetit”, thekson Kurti.

Në fund të postimit të tij, ai i cilëson si “referendum” zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke lënë të kuptohet se ai pret fitore të madhe të Vetëvendosjes në këto zgjedhje.

“22 tetori i vitit 2017 po bëhet referendum i ri”, thekson Kurti.

Postimi i plotë i tij:

AKR doli nga koalicioni LAA. Ky koalicion parazgjedhor edhe zyrtarisht u shpërbë dje. Apetitet nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër, e humbën edhe një shans shtesë pas atij të VLAN-it. Kot je pasiv që të mos bësh gabime, sepse pasiviteti është gabimi më i madh.

Mirëpo, dje u shpërbë edhe koalicioni tjetër PAN. Marrëveshjen me kryetarin e AKR-së nuk e bëri kryetari i PAN, por të tre kryetarët e tre partive të PAN-it (prej 12 sosh gjithsej) që kanë deputetë në legjislaturën e gjashtë.

Koalicionet parazgjedhore të oportunizmit po shthuren. Po kthehemi te partitë, te përmasat e tyre, tek ato si masë.

Pas marrëveshjes së mbrëmshme, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit.

Shteti nuk është karrikë. Shteti ka karrika. Por, ka edhe karrika pa shtet, karrika në kurriz të shtetit. Pushteti i varur nga Serbia, e var pavarësinë e shtetit.

26 vjet më vonë, 22 tetori i vitit 2017 po bëhet referendum i ri.

(r.m.)

Comment

*