Kurti: Në Kosovë është e lehtë vetëm vdekja

Cyrih, 10 shkurt 2018 – Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka përshkruar Kosovën si vend ku më së lehti është “të vdesësh”.

Këtë konstatim e ka dhënë në një intervistë për një gazetë zvicerane.

“Pothuaj nuk është e mundshme të marrësh kapital. Është tmerrësisht vështirë të ndërmarrësh diçka, por edhe më vështirë të zhvillosh diçka në aspektin afatgjatë. Në Kosovë është e lehtë vetëm vdekja”, ka thënë Albin Kurti, për gazetën zvicerane “Schweiz am Wochenende”.

Kurti ka thënë se shteti i Kosovës funksionon vetëm falë parave të diasporës. Ai ka theksuar se shteti do të dështonte sikur kosovarët që jetojnë jashtë shtetit të mos çonin para në vendlindje vetëm tre muaj.

Kryetari i vetëvendosjes ka folur edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqigt. Ai ka thënë se ky politikan serb u vra pasi kishte probleme me Presidentin e Serbisë.

“Vrasja e Ivanoviqit është çështje e brendshme serbe”, ka thënë ai.

Kurti ka krahasuar Kosovën me Kinën, kur ka folur për numrin e ministrave dhe të zëvendësministrave.

“Qeveria aktuale i ka 21 ministra dhe 82 zëvendësministra. Janë më shumë se në Kinë. Ky është nepotizëm i qartë, shenjë e korrupsionit shtetëror. T’i shpërblesh anëtarët e familjes dhe veteranët e partisë me poste të tilla nuk është mënyrë e duhur për të ndërtuar një shtet demokratik të bazuar në sundim të ligjit”, ka shtuar ai, transmeton Gazeta Express. (r.m.)

Comment

*