Kurti: Në Vetëvendosje s’ka ndarje, ka dorëheqje

Prishtinë, 23 janar 2018 – Kryetari i ri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk sheh ndarje në partinë e tij.

Në konferencën e parë për gazetarë, pas zgjedhjes kryetar, Kurti ka thënë se dorëheqjet e disa anëtarëve të kryesisë së partisë nuk tregojnë ndarje në parti.

“Nuk ka ndarje, por ka dorëheqje nga struktura të caktuara. Dhe jo dorëheqje nga anëtarësia dhe, rrjedhimisht, jo dorëheqje nga programi ynë që e kemi shkruar bashkë. Ne nuk jemi sekt formal unanim që do të ishim identik. Këtu lejohet mendimi ndryshe dhe diskutimi, kjo është vlerë dhe pasuri e lëvizjes”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se nuk mban inat ndaj askujt dhe nuk do t’i hakmerret askujt, për shkak të kritikave që i janë drejtuar nga disa anëtarë të strukturave drejtuese të partisë.

“Unë e kam vullnetin e hekurt, por jo dorën e hekurt. Duam organizatë që inkurajohet kritika dhe vetëkritika dhe jo një organizatë që do të ketë sharje e fyerje dhe jo keqpërdorim të atyre që kanë pozita më të larta”, ka thënë kurti, transmeton KTV.

Ai ka kujtuar se Kryesia e Vetëvendosjes i ka autorizuar deputetin Glauk Konjufca dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të bisedojnë me të gjithë atyrer që kanë dhënë dorëheqje në mënyrë që të thehen përsëri.

“Zgjidhja është pjesëmarrja aktive në organet tona, ka thënë ai.

Por, Kurti e ka shmangur pyetjen lidhur me raportet e tij me ish-sekretarin organizativ të partisë, Dardan Molliqajn, i cili kishte kërkuar që Kurti të mos kandidohej për kryetar.

“Jemi deputetë të një grupi parlamentar”, ka thënë ai.

Kurti është pyetur edhe për zgjedhjen e tij pa kundërkandidat. Ai ka thënë se kishte pasur besim të madh që ai do të kishte kundërkandidat për kryetar të partisë dhe ka theksuar se “kjo nuk ndodhi për fajin e tij”.

“Do të jem kryetar i të gjithëve, do t’i shërbej vullnetit dhe interesit të përgjithshëm”, deklaroi Albin Kurti.

Ai ka mohuar raportimet se në Vetëvendosje e quajnë “babë” ose “komandant”.

“Jo, sepse s’jemi në luftë. Jemi në paqe dhe unë jam vetëm kryetar i Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti. (r.m.)

Comment

*