Kurti nuk do ta pranojë vendimin e Kushtetueses, nëse shkon përtej intepretimit

Prishtinë, 22 maj 2020 – Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka një kusht për ta pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Kurti ka thënë se do ta respektojë vendimin e Kushtetueses, vetëm në rast se në të nuk “caktohen” afate të cilat nuk i përmban as akti më i lartë juridik i shtetit të Kosovës.

“Ne do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa ai është interpretim i Kushtetutës, siç është misioni i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti, raporton KOHA.

Kurti ka theksuar se rasti i Dekretit të Presidentit për mandatarin është vendimi më i rëndësishëm i përbërjes së tashme të gjyqtarëve të Kushtetueses. Ai ka thënë se gjyqtarët janë të kufizuar vetëm në interpretimin e normave kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese duhet të punojë në qetësi, si e paanë, e pavarur e profesionale. Ajo duhet ta interpretojë Kushtetutën. Nuk mund ta shkruajë Kushtetutën. Këtë nuk mund ta bëjë as Gjykata Kushtetuese, as Kryeministri, as Presidenti. Kushtetuta mund të ndryshohet, përkatësisht të shkruhet, vetëm me amendamente, në Kuvendin e Republikës”, ka theksuar ai.

“Koha Ditore”, duke iu referuar burimeve të saj brenda Gjykatës Kushtetuese, ka shkruar se shtatë prej nëntë gjyqtarëve të kësaj gjykate janë vënë në anën e Presidentit Hashim Thaçi. Ata do të kërkojnë që në aktgjykim të caktohet një afat 15 ditësh që partia së cilës i kërkohet nga Presidenti që ta propozojë mandatarin, ta bëjë propozimin. Në të kundërtën konsiderohet se partia ka hequr dorë nga kjo e drejtë. Në këtë rast, presidentit i lihen duart e lira të kërkojë propozimin e mandatarin nga një parti tjetër.

Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton ndonjë afat brenda të cilit partia duhet ta propozojë kandidatin e saj në mandatar.

Pas mocionit të mosbesimit të Qeverisë ‘Kurti’, Presidenti Thaçi e ka pritur vetëm 20 ditë propozimin e Vetëvendosjes, e cila ka dalë në e para në zgjedhjet e fundit. Më pas, ia ia ka ofruar LDK-së mundësinë që ta propozojë mandatarin, duke supozuar se Vetëvendosje ka refuzuar ta propozojë kandidatin e ri të saj për kryeministër.

Ditën që Presidenti e ka nxjerrë Dekretin për mandatimin e kandidatit të LDK-së, Avdullah Hoti, për kryeministër të ri, Vetëvendosje e ka kontestuar atë dhe ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese së pari pezullimin e pastaj vlerësimin e kushtetutshmërisë.

Dekreti i Presidentit Thaçi i është pezulluar deri më 29 maj. Deri atëherë pritet që gjyqtarët e Kushtetueses të vendosin lidhur me këtë rast. (r.m.)

Comment

*