Kurti pranon se brenda Vetëvendosjes ka mospajtime

Prishtinë, 29 dhjetor 2017 – Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cilit iu hoq masa e paraburgimit, ka folur edhe për zhvillimet e fundit në parti.

Kurti, i cili tash për tash është kandidati i vetëm zyrtar për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shfaqur shpresën se do të ketë kundërkandidat për këtë pozitë.

I pyetur nëse mund të jetë kundërkandidat i tij Dardan Molliqajn dhe nëse e vlerëson atë të denjë për kandidat, Kurti ka refuzuar të flasë me emra, por ka thënë se të drejtë kandidimi ka çdo aktivist i kësaj partie.

Megjithëkëtë, Kurti ka pranuar se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka mospajtime.

“Është e vërtetë që kemi pasur e kemi mospajtime në Lëvizjen Vetëvendosje por me dialog, me demokraci e me durim do t’i trajtojmë e do ti kalojmë këto mospajtime”, ka thënë Kurti për Kallxo.com.

Ditën që Kurti ishte arrestuar dhe ishte dërguar në paraburgim, ish-nënkryetarja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, e kishte ofenduaer rëndë, në një komunikim intern të deputetëve të Vetëvendosjes. Ky ofendim që u bë publik nxiti reagime të ashpra brenda Vetëvendosjes dhe nxori në shesh mospajtime të thella midis dy grupeve – grupit te rreshtuar pas Albin Kurtit dhe grupit të rreshtuar pas kryetarit aktual të partisë, VisarYmerit.

Aida Dërguti u detyrua të jepte dorëheqje nga pozita e nënkryetares se partise dhe e kryetares së qendrës së partisë në Vushtrri. (r.m.)

Comment

*