Kurti shprehet pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Prishtinë, 10 prill 2018 – Kryetari i Lëvizjes Vetqëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti është “për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë”.

Kurti, në një postim në Facebook ku ka paraqitur një sërë argumentesh për keqqeverisje, ka thënë se “shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri”.

“Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm”, ka thënë ai.

“Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit”, ka theksuar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

U bënë katër javë prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV) ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra.

Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet.

Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë.

LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.

Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm.

Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit.

(r.m.)

Comment

*