Kurti: Vetëvendosje është për dialog me serbët e Kosovës

Prishtinë, 30 mars 2018 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është angazhuar për dialog me serbët e Kosovës, siç është shprehur, “jo për pajtim, por për zhvillim”.

“Ne do të duhej të insistojnim për dialog të hapur shoqëror e demokratik, më parë se për pajtim për zhvillim”, ka thënë Kurti, në tryezën “Alternativa e Vetëvendosjes për dialogun”, organizuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se çdo ditë që nuk kemi dialog me serbët e Kosovës është ditë e humbur. Ne duhet t’i japim prioritet dialogut me serbët e Kosovës si qytetarët të vendit tonë. Ne do të duhej të theksonim ato që janë të përbashkëtat tona, e këto janë mungesa e vendeve të punës, mungesa drejtësisë, por edhe profesionet e ndryshme të përbashkëta që i kemi, hallet e përditshme, sidomos në fushën socio-ekonomike. Në vend të dialogut ne Bruksel me dyer të mbyllura, dialogu diplomatik ku ftohen krerët e shteteve që marrëveshjen eventuale t’ua shesin popujve përkatës kur të kthehen në vendet e tyre, ne do të duhej të insistojmë për dialog të hapur shoqëror e demokratik, më parë se për pajtim për zhvillim”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se dialogu i deritashëm në Bruksel nuk ka dhënë asnjë rezultat. Madje, ai e ka vlerësuar si të nevojshëm krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar dialogun e zhvilluar deri më tash.

“Konsiderojmë që për këtë dialog të formohet një komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të hulumtojmë të gjitha zbatimet dhe moszbatimi për marrëveshjet, nga energjia te telekomunikacioni, nga liria e lëvizjes te njohja e diplomave, nga policia e gjyqësia në veri te përfaqësimi diplomatik i ndërsjellë, nga menaxhimi i përbashkët i kufirit e deri te prezantimi antikushtetues i Kosovës me fusnotë”, ka thënë Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes është shprehur kundër idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. Ai e ka quajtur këtë si “eufemizëm” për ndarjen e Kosovës.

“Unë besoj që Serbia dëshiron që ne ta dëshirojmë shkëmbimin territorial, sepse kur zyrtarët kosovarë flasin dhe deklarohen në favor të shkëmbimit territorial, kjo i bie që kanë hequr dorë nga veriu, ndërsa Luginën e Preshevës nuk e marrim dot. Shkëmbimi territorial është eufemizëm për ndarje të Kosovës. Meqenëse nuk mund ta quajnë ‘ndarje’ të Kosovës, sepse reagimi do të ishte shumë i ashpër, atëherë e përdorin një shprehje rezervë e shprehja rezervë është ‘shkëmbim territorial’. Kushdo në Prishtinë që deklarohet për shkëmbim territorial veçse shpreh gatishmërinë për të hequr dorë nga veriu, ndërsa Luginën se marrim dot”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nguhet të bëjë marrëveshje me Hashim Thaçin, para se Kosova ta formojë ushtrinë.

“Presidentit Vuçiq i ngutet që marrëveshjen me Thaçin ta bëjë para se Kosova të ketë ushtri, sepse një shtet që e ka ushtrinë është shumë më afër kompletimit të sovranizimit dhe shtetndërtimit, kështu që pozita negociatore e atij shteti ndryshon”, ka thënë Kurti.

 

“Arsyeja e dytë madhore që i ngutet (Vuçiqit) është se Serbia i ka hapur 12 kapituj, prej 30 sish, në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e aty është edhe kapitulli 35”, ka shtuar ai.

“Serbisë i ngutet meqenëse ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Zigmar Gabriel, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, tha se Serbia duhet ta pranojë, ta njohë, Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian. Serbia dëshiron që në Bruksel të jetë e armatosur, e pajisur me një varg marrëveshjesh që ka arritur me Thaçin” , ka theksuar Kurti.

Sipas tij, arsye e tretë madhore për ngutinë e palës serbe është, siç ka thënë ai, se Presidenti Thaçi është “më shumë ilegal se sa legal” dhe ka “pozitë të cenueshme”, edhe për shkak të Raportit të Dick Martit, gjë që Vuçiqi dëshiron ta shfrytëzojë për të realizuar sa më shumë prej aspiratave serbe. (r.m.)

Comment

*