Kurti: Zgjedhjet e 14 shkurtit janë referendum për qytetarët e Kosovës

Prishtinë, 7 janar 2021 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese vërtetoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka qenë jokushtetuese.

”Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese”, shkruan ai në Facebook.

Kurti i quan “të vonuara“ zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt. Ai i quan ato edhe si “referendum“ për qytetarët e Kosovës.

“Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor“, thekson ai.

Kurti nuk ka thënë nëse do të garojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Pjesëmarrja e tij në këto zgjedhje u aktualizua për shkak se Gjykata Kushtetuese tha se personat e dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet dhe as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Në vitin 2018, Albin Kurti është dënuar me burg me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. po për këtë vepër janë dënuar edhe tre deputetë të atëhershëm të Vetëvendosjes: Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar të mërkurën se Albin Kurti do t’i prijë listës së kësaj partie në zgjedhjet e reja, pavarësisht prej asaj që thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses ia ndalon Kurtit që të garojë për deputet, por kjo sipas tij, nuk ia ndalon që ai të nominohet për kryeministër, nëse partia e Kurtit fiton zgjedhjet.

(r.m.)

Comment

*