Kurti: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen sa më shpejt

Prishtinë, 22 dhjetor 2020 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij do që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen sa më shpejt.

“Ne jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të parakohshme në Republikën e Kosovës, meqenëse kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejt, që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi një qeveri të re e kompetente, e cila e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë”, tha ai.

Kurti e bëri këtë deklaratë pas takimit me ushtrueses të detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për t’u konsultuar për datën e shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.

“Ky ishte një këshillim paraprak dhe ne shprehëm interesimin tonë si subjekt politik që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të kemi një datë, e cila do të jetë sa më e hershme”, tha Kurti.

Por, ai nuk dha ndonjë datë.

“Ne, së pari, duhet ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve, në një hark të caktuar kohor, siç e parasheh Kushtetuta”, shtoi ai.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nisi konsultat me partitë politike për datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme mbahen pas aktgjykimit të  Gjykatës Kushtetuese, e cila e vlerësoi jokushtetues votimin e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti. (r.m.)

Comment

*