Kurz: Krahasimi i Kosovës me Katalonjën është i pavlerë

Beograd,  13 tetor 2017 – Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, e ka quajtur të panevojshëm dhe të pavlerë krahasimin e rastit të Kosovës me rastin e Katalonjës.

“Nuk shoh ndonjë vlerë të krahasohet situata në Katalonjë me atë të Kosovës”, ka thënë Kurz.

Ai e ka bërë këtë deklaratë në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, gjatë vizitës në Serbi.

Nikoqirët e tij, në Beograd, i kanë cilësuar si të njëjta rastet e Kosovës dhe Katalonjës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq ishin hidhëruar shumë kur zëdhënësi i Komisionit Evropian kishte thënë se rasti i Kosovës dhe rasti i Katalonjës janë krejtësisht të ndryshme. Ata kishin bërë gati edhe një letër përmes së cilës do të pyesnin zyrtarët e Bashkimit Evropian përse i konsiderojnë të ndryshme këto dy raste. Por, hoqën dorë nga dorëzimi i letrës pas presionit të Spanjës. (r.m.)

Comment

*