Kusari-Lila: Në Kosovë ka burokraci të tepruar

Prishtinë, 17 qershor 2013 – Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ka pohuar se në administratën e Kosovës ka ende burokraci të tepërt, e cila është pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Burokraci në Kosovë ka, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror. Kushdo që thotë se nuk ka, nuk është e vërtetë. Për shkak se ka raste që ne, edhe në agjenci të ndryshme që i raportojnë Kuvendit, duhet të intervenojmë për përshpejtim të procedurave. Ka raste kur ato bllokohen, për interesa personale apo për qëllime tjera që janë të sanksionuara me ligj. Por, pavarësisht insistimit tonë që të përshpejtohet procedura ose të shkojë në procedurë të rregullt, ka kokëfortësi apo rezistencë nga institucione të caktuara”, ka thënë ajo, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Por, zonja Kusari-Lila ka thënë se kohët e fundit janë arritur disa rezultate në zvogëlimin e procedurave burokratike, të cilat kanë për qëllim krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për biznes në Kosovë.

“Janë bërë përmirësime në regjistrimin e biznesit, janë bërë reduktime në dokumente sa i përket importit dhe eksportit të mallrave. Ndërsa tani, në këtë javë, presim në qeveri që të kalojë ligji ombrellë për leje dhe licenca, ligj ky që do të shkurtojë mbi 40 për qind të lejeve dhe licencave aktuale në Kosovë, në mënyrë që këto burokraci që po flasim, këto procedura të jenë më të pakta dhe më të shkurta. Ky është një hap i drejtpërdrejtë dhe konkret në luftimin e korrupsionit dhe dukurive, të cilat e dëmtojnë ambientin e biznesit”, ka thënë ajo.

R.M.

Comment

*