Kush do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e Sofjes?

Prishtinë, 16 prill 2018 – Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet më 16-17 maj në Sofje, sot i dha dritë të gjelbër edhe Kosovës.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, sot e ftoi zyrtarisht Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që të marrë pjesë në këtë samit.

“Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete, kurse për ato shtet që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, tha Borisov në Prishtinë.

Para disa ditësh, Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se në Samitin e Sofjes do të marrë pjesë Kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, sot, Zyra e Kryeministrit tha se nuk mund të konfirmojë nëse Haradinaj do të marrë pjesë në këtë samit. Ajo i tha portalit Koha.net se vendimi për pjesëmarrjen apo jo të Haradinajt do të merret këto dy ditë.

Në faqen zyrtare të Samitit të Sofjes njoftohet se në këtë samit mund të marrin pjesë krerët e shteteve ose të qeverive të shteteve anëtare të BE-së.

Pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sidomos Spanja, Qiproja dhe Rumania, e kanë kontestuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit.

Samitin e Sofjes do ta kryesojnë Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Në samit pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn. (r.m.)

Comment

*