Kush e mban në Shqipëri Mostafa Mohammadin?

Çerçiz Loloçi

Prej një kohe të gjatë qëndron në Shqipëri Mostafa Mohammadi dhe bashkëshortja e tij me preteksin se do të takohet me vajzën e vet, Somayeh, “që mbahet me forcë nga grupi i rezistencës iraniane që jeton përkohësisht në Shqipëri”.

Madje Mostafai i është drejtuar me një letër publike si ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ashtu edhe ish deputetit socialist Namik Kopliku (bashkëkryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri- Rezistenca Iraniane) që t’i mundësojnë një takim me vajzën e tij në vendin tonë dhe që në përfundim ta ndihmojnë për ta kthyer në vendlindjen e saj. Lidhur me këto dy letra nuk ka kthyer përgjigje publike Fatmir Xhafaj, ndërsa Namik Kopliku ka bërë një ballafaqim të kërkesave të tij me dëshminë e vet vajzës.

Para kësaj dëshmie, në një intervistë ekskluzive dhënë për Gazetën Shqiptare (http://www.gsh.al/2018/08/02/intervista-somayeh-mohammadi-jam-muxhahedinet-deshire-sjam-peng-ja-e-verteta-per-babain-tim/) Somayeh Mohammadi ka pohuar se pretendimi i Mostafait se “mbahem peng nga MEK” është një gënjeshtër qesharake… Unë jam në Shqipëri që është vend i lirë. Unë vendos për veten time. Jam 38 vjeç. Ky është vendimi im; nuk kam ndërmend të takohem me njeriun që është agjent i Ministrisë së Inteligjencës së një regjimi vrasës. Kam zgjedhur të luftoj për lirinë e popullit të vendit tim i cili është nën sundimin e një diktature mesjetare…”.

Zonja Mohammadi ka shkruar edhe një libër rreth kësaj, të titulluar “Fundi i një komploti”. Në këtë libër ajo shpjegon se si i ati, i cili është dërguar tani në Tiranë, ishte rekrutuar nga Ministria e Inteligjencës e Iranit dhe se si ai ishte bashkëpunëtor në vrasjet e anëtarëve të MEK në Irak.

Gjithashtu ajo shpjegon publikisht se “në 1998, unë e lashë me vullnetin tim banesën time në Kanada dhe, si shumë iranianë të tjerë që e duan lirinë, u bëra pjesë e PMOI dhe shkova në Kampin Ashraf në Irak. Erdha në Shqipëri me miqtë e mi të tjerë pasi u larguam nga Iraku. Kur ishim në Irak, regjimi iranian mundi të keqpërdorte disa anëtarë të familjeve tona, përfshirë tim atë, kundër PMOI duke i kërcënuar apo joshur ata. Pas takimeve të tij me mua në Kampin Ashraf në Irak në vitet 2002, 2003 dhe 2004 dhe pasi u kthye në Kanada, ai deklaroi papritmas para shtypit dhe autoriteteve kanadeze se PMOI më kishte mbajtur me forcë në Kampin Ashraf kundër vullnetit tim. Ai krijoi blog-e propaganduese në emrin tim në internet, dhe, duke publikuar fotot e mia personale në këto blog-e, dhe duke aplikuar trysni të tjera, ai donte të më bënte të dorëzohesha dhe të bashkëpunoja me regjimin iranian. Bashkëpunimi i tij me shërbimin e inteligjencës së regjimit iranian (MOIS) si dhe shpifjet kundër meje dhe PMOI vazhduan deri në atë pikë saqë, në mënyrë që të bisedonin personalisht me mua dhe të më çonin në Kanada, një delegacion nga qeveria kanadeze erdhi disa herë në Kampin Ashraf në Irak. Çdo herë, në takimet e mia private me delegacionin e qeverisë kanadeze, u kam shpjeguar atyre se qëndroja me PMOI me vullnetin tim të sinqertë. Pasi nuk kisha më asnjë dyshim se Mostafa Mohammadi, pa asnjë dashuri familjare, po më keqpërdorte si një mjet për të fituar para dhe për të realizuar misionet e MOIS kundër PMOI, unë i ndërpreva të gjitha lidhjet dhe takimet me të përgjithmonë”.

Pak a shumë këto pohime 38-vjeçarja iraniane i ka dhënë edhe në videon ku ballafaqohen pretendimet e babait të saj, agjent i shërbimit sekret të regjimit Iranian dhe të vërtetat e saj. Burime të besueshme e lidhin praninë e tij edhe me krimin e shëmtuar të regjimit Iranian ku u masakruan 141 persona në kampin e Ashrafit. (Dëshminë e plotë të zonjës Somayeh e ndiqni në linkun https://www.facebook.com/100010445585784/videos/pcb.665519517139562/665513257140188/?type=3&theater).

Në këto rrethana është e pakuptueshme se si ky person lejohet të qëndrojë ende në Shqipëri, teksa përbën rrezik jo vetëm për sigurinë e muxhahedinëve paqësorë, por edhe për atë në vendin tonë.

Burime nga përfaqësues të rezistencës iraniane thanë për mediat se ata kanë bërë kallzim penal në polici dhe ende nuk shikojnë të bëhet asnjë veprim.

—————————————-

Post Scriptum: Mostafa Mohammadi: “Po i dhashë urdhër të sulmojnë natën; a e dini se asnjëri prej jush nuk do të mbetet gjallë? Mos përhapni fjalën se kanë ardhur një numër mercenarësh. Ne kemi ardhur këtu me dokumenta zyrtare. Dokumentat tona janë me udhëheqësit në Baghdad dhe me ushtrinë në Baghdad. Kjo e bërtitur që po bëj do t’ju kushtojë shtrenjtë një ditë, ditën që të lidh litarin rreth qafës së secilit prej jush dhe t’ju var. Rroftë Republika Islamike e Iranit”.

 

2 Responses to “Kush e mban në Shqipëri Mostafa Mohammadin?”

Read below or add a comment...

  1. Zhila Mahro says:

    Very good Article and informative. Thank you Cerciz

  2. Zhila Mahro says:

    Very informative and comprehensive article . Thank you Cerciz

Comment

*