Kush kënd po e gënjen dhe pse?

Milazim Krasniqi

Pasaktësia terminologjike e mesazheve politike prodhon përfytyrime të gabueshme në mendjet e njerëzve. Fatkeqësisht, kjo gjë është shumë e përhapur në ligjërimin politik të disa drejtuesve të Kosovës. Prandaj edhe qytetarët shumë herë janë të hutuar, të deprimuar e të irituar.

Pse? Sepse ata e shohin një realitet, ndërsa me pasaktësinë terminologjike, u thuhet se ajo që ata shohin nuk është e vërtetë.

Fjala vjen, derisa qytetarët e shohin përditë se Serbia po bëhet gjithnjë e më kërcënuese për lirinë tonë, disa prej udhëheqësve vazhdimisht flasin se si do të ndodhë njohja e ndërsjellë dhe pajtimi ndërmjet Kosovës e Serbisë. Bile, ka që thonë se njohja e ndërsjellë do të ndodhë hiq më larg se sivjet, në vitin 2018! (Njeriu injorant mund të thotë me vete: qejf o qejf!)

Por, kjo është një pasaktësi terminologjike, e cila prodhon mashtrim për qytetarët e pavëmendshëm.

Pse? Sepse BE nuk po i kërkon Serbisë ta njohë Kosovën. (BE-ja as vetë nuk e pranon Kosovën si shtet.) Po i kërkon të arrijë një “marrëveshje gjithëpërshirëse”, një normalizim të marrëdhënieve. Kjo nuk është aspak njohje e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Ama aspak!

Shtetet që e njohin njëri-tjetrin nuk kanë nevojë për “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, po vetëm për aktin e njohjes. Në bazë të atij akti vendosen marrëdhënie diplomatike. Pra, në rastin tonë absoluthst nuk ka process e as akt që shpie drejt njohjes së ndërsjellë të Kosovës e Serbisë si shtete të pavarura! Kush thotë se ka, thjesht gënjen!

Nga ajo që shihet në zhvillimet në Serbi, në raportet e saj me Rusinë dhe me BE-në, njohja e Kosovës nuk do të ndodhë. E kundërta pritet të ndodhë: rritja e presioneve të Serbisë kundër stabilitetit të Kosovës dhe qëndrueshmërisë së saj, për shkak të fuqizimit të saj evident.  Bile, presisonet mund të shkojnë deri në destabilizim kritik për ekistencën e Kosovës si shtet. Prandaj, më mirë dhe më e drejtë është që udhëheqësit tanë politikë e shtetërorë ta thonë të vërteten me terma të saktë, se sa të mashtrojnë me terma të pasaktë.

Nëse njerëzve u thuhet e vërteta e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, me parashikimin racional se ato mund të përkeqësohen në vitet që vijnë, nëse BE-ja mban këtë qëndrim të pabalancuar, ata mund të ndërgjegjësohen e të mobilizohen që ta forcojnë shtetin, duke e ditur se herët a vonë Kosova do të jetë nën ndonjë sulm hakmarrës të Serbisë. Ata do ta kuptonin se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga agresioni hakmarrës në të ardhmen, është anëtarësimi i Kosovës në NATO. Në atë rast qytetari do ta kuptonte se anëtarësimi në NATO nuk arrihet me këto politika, me këto elita, me këtë plogështi të shoqërisë. Prandaj, do të mund të participonte në reforma politike dhe mobilizim qytetar, që do të sillnin ndryshime pozitive.

Kështu si është puna sot, njerëzit po vihen në gjumë me mashtrime se gjoja njohja me Serbinë është punë e kryer, se Serbia më nuk paraqet rrezik për ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur. Por, këto janë tregime për një Serbi, e cila në realitet nuk ekziston. Serbia që ekziston është armiqësore, gjenocidale dhe kërcënuese edhe për të ardhmen.

Kjo Serbi kurrë nuk do të pajtohet me Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran. Kush nuk e thotë këtë haptas, e fsheh të vërtetën me terma të cilët kanë qejf t’i dëgjojnë batakçinjtë dhe injorantët.

25 shkurt 2018

 

(Autori është shkrimtar e publicist, profesor në Universitetin e Prishtinës)

Comment

*