Kush vë dorë mbi veprën e Idriz Seferit, vë dorë mbi kauzën e shqiptarëve

Monumenti i Idriz SeferitReagim i familjes së Idriz Seferit pas dëmtimit të skulpturës se tij në Muqibabë të Gjilanit. “Ndjejmë keqardhje për artistin e respektuar Hevzi Nuhiu, i cili në përpjekjen e tij njerëzore për të nderuar veprimtarin kombëtar, është vënë në siklet nga njerëz që aksidentalisht jetojnë në kohët moderne”- thuhet në reagimin e familjes Seferi

 

Bekim Salihu

Prishtinë 13 korrik 2013-Dëmtimi i skulpturës së Idriz Seferit, në fillim të kësaj jave në fshatin Muqibabë të Gjilanit, ka shtyrë pasardhësit e tij, që t’u drejtohen medieve në Prishtinë. Ata këtë veprim vandal e konsiderojmë të shëmtuar të bërë nga njerëz të ligj e qyqarë.
“Ne ndjejmë keqardhje edhe për artistin e respektuar Hevzi Nuhiu, i cili në përpjekjen e tij njerëzore për të nderuar veprimtarin kombëtar, është vënë në siklet nga njerëz që aksidentalisht jetojnë në kohët moderne”-thuhet në fillim të reagimit të familjes Seferi, dërguar mediave në Prishtinë. Familja Seferi konsideron se shqetësimi nuk qëndron vetëm të dëmtimi i figurës të Idriz Seferit, nga njerëz me maska e të porositur nga trushpëlarët, por te mendësia e krijuar kohëve të fundit në Kosovë për të kaluarën tonë historike.
“Idriz Seferi nuk ka bartur maskë, e as nuk e ka mbajtur fshehtë luftën për kauzën e tij dhe të popullit të tij, gjithandej trojeve shqiptare. Ai nuk ka dhënë kontribut dhjetëravjeçar që një ditë të bëhet subjekt skulpturash e përkujtimesh, edhe më pak që dikush të vërë dorë mbi të. Ai e ka jetuar jetën si shqiptar, më shumë se çdo identifikim tjetër. Të gjykosh veprën e tij, është njëjtë të gjykosh edhe kontributin e mijëra burrave shqiptarë që iu bënë krah atij në të gjitha betejat, qoftë kundër osmanlinjve, qoftë kundër serbëve apo bullgarëve” potencohet në reagimin e familjes Seferi, përderisa shprehet krenaria e plotë e kësaj familje me paraardhësit e tyre.
“Ne pasardhësit e tij jemi ndier krenarë për veprën e tij, por edhe jemi ndier të vegjël krahasuar me veprën e madhe të tij. E kemi lënë që të tjerët të gjykojnë për të. E kemi lënë që historografia të vërtetojë me fakte kontributin e tij edhe si luftëtar, edhe si pajtimtar gjaqesh edhe si njëri nga kontribuuesit e hapjes së shkollës së parë shqipe në Kosovë. Ne kemi pasur vetëm një obligim – ta vazhdojmë amanetin e tij, të përqafojmë të gjitha lëvizjet çlirimtare deri në Luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe jo vetëm kaq. Andaj, ftojmë institucionet qeveritare të vendit që ta zbardhin rastin dhe autorët t’i nxjerrin para drejtësisë. Ftojmë edhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe historike që të ngrenë zërin dhe të mos lejojnë njerëz me botëkuptime mesjetare të përcaktojnë se çfarë është vlerë e çfarë antivlerë kombëtare në këtë vend” theksohet në letrën që familja Seferi u ka adresuar mediave në Prishtinë, teksa dëmtimi i skulpturës se Idriz Seferit konsiderohet si atak ndaj vlerave kombëtare.
“Nuk dyshojmë se do të marrin përgjigjen e merituar, ata që sot kanë vënë dorë mbi veprën dhe amanetin e tij, sepse është vënie dorë mbi kauzën e popullit shqiptar, mbi pasardhësit e tij dhe kujtimin për të” thuhet në fund të reagimit te familjes Seferi.
Kurse, sipas autorit të skulpturës, Hevzi Nuhiu, disa banorë të fshatit Muqibabë nuk e duan gdhendjen e figures se Idriz Seferit me arsyetimin se ai ka qenë katolik.
“Pas 15 ditësh punë më është ndërpre puna nga disa banorë të fshatit Muçibabë të cilët thonë se nuk mundem që ta gdhendi figurën e Idriz Seferit në gurë për arsye së Seferi gjoja i ka takuar fesë katolike”-tha zoti Nuhiu.
Skulptori tregon se si i zgjedh vendet strategjike dhe ku puna e tij shihet nga kalimtaret e rastit. “Ka qenë shumë e vështirë deri sa ia kemi filluar punës sepse nuk kam pas ndihmë nga askush”, ka thënë ai për të shtuar se më pas banorët ia kanë prishur skulpturën më shkop dhe se dëmet janë të mëdha. “Pasi që ata e kanë thyer skulpturën njërën këmbë ja kanë dëmtuar më shkop, ne e kemi telefonuar policinë për rastin dhe se tani gjendja është këtu ku është. Unë më të hollat e mia jam duke jetuar në një hotel të Prishtinës të gjitha shpenzimet i mbuloj vet, mirëpo unë vetëm jam ka dëshiroj që të bëjë diçka që mungon edhe në Ballkan. Mirëpo vandalizmi po e ndërpret punën time, dhe po e dëmton një ëndërr timen,” ka thënë Nuhiu.
Për rastin është njoftuar edhe Policia e Rajonit të Gjilanit. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka thënë së të dyja palët si skulptori Hevzi Nuhiu po edhe disa banorë të fshatit Muçibabë duhet që t’i paraqesin dokumentet për punë, dhe për pronësi.
“Skulptori nuk ka marrë leje për të zhvilluar punën e tij në atë pjesë të fshatit, po gjithashtu edhe banorët nuk kanë dëshmi se prona ku skulptori po bënë punën e tij është e tyre. Ne si Polici i kemi udhëzuar të dyja palët që rastin ta paraqesin në gjykatë dhe t’i paraqesin provat si për leje të punës ashtu edhe për pronën që thuhet se është private”-ka thënë Hashani.

One Response to “Kush vë dorë mbi veprën e Idriz Seferit, vë dorë mbi kauzën e shqiptarëve”

Read below or add a comment...

  1. nevruz says:

    me pelqen historia

Comment

*