Kushtuar mikut tim të dashur, profesorit të nderuar Riza Smaka

Nga Shaqir Salihu

Viti 2020, të cilin shumë shumë vetë e kanë cilësuar si viti që na solli Koronavirusin Covid-19 dhe që mori miliona jetë njerëzish, po e thyente qafën dhe pothuajse tërë njerëzimi po prisnin me padurim Vitin e Ri 2021 me shpresë se po lind një dhjetëvjeçar i ri, me shpresa të reja dhe me bindje te thellë se njerëzimi po shkonte përsëri drejt një jete normale.

U zgjova vonë sepse e prita Vitin e Ri me familjen time këtu në afërsi të Uashingtonit. Sapo u zgjova mora telefonin e zgjuar që ruan e shënon çdo gjë, dhe aty në Facebook gjeta dhjetëra e dhjetëra mesazhe urimi për Vitin e Ri nga miq, farefis e dashamirë. Kur papritmas me shkuan sytë te një mesazh që tërë gëzimin e harenë e Vitit të Ri e shndërroi në pikëllim. Lajm i trishtë. Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm profesori universitar dhe njohësi i së drejtës, Riza Smaka. Profesori i njohur, ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011. Mbeta gojëhapur. Paska ndërruar jetë shoku im i klasës në Gjimnazin e Pejës, Prof. Dr. Riza Smaka. Por jo thjesht një shkok i mirë i klasës nga i cili të gjithë kemi përfituar nga zgjuarsia dhe niveli i tij intelektual, por një profesor me vlera e virtyte të larta intelektuale, profesionale dhe kombëtare.

Për të shkruar për shokun tim të klasës, profesorin e madh Riza Smaka, nevojiten faqe të tëra dhe këtu nuk është as vendi e as koha e duhur, por dua thjesht të njoftoj me pak fjalë miqtë e mi se me humbjen e Prof. Dr. Riza Smaka, shteti ynë i ri humbi një intelektual të madh që punoi aq fort për çështjen tonë kombëtare. Ai i takon brezit të artë të intelektualëve të shumtë që dha Rugova në vitet 60, 70, 80 e të cilët lanë gjurmë në zhvillimin e Kosovës deri në lirinë dhe pavarësinë e saj. Kishim një respekt të ndërsjelltë. E dinte se isha arratisur në Itali dhe prej Italisë në Amerikë. Për vendimin tim për të braktisur atdheun, të cilin e lashe nën flakën e pan-sllavizmit serb, profesor Smaka nuk ishte edhe aq i kënaqur, sepse njeriu gjithmonë kontribuon më shumë për atdhe nëse jeton e vepron aty. Megjithatë, profesor Smaka, nëpërmjet një mesazhi fort të shkurtër, një herë m’i kishtë shkruar këto fjalë të arta:

“Shaqë, kurdoherë ishe i pathyeshëm e vullnetfortë. Nderime për ty shoku im i nderuar i fëmijërisë sonë idealiste, nacional-romantike me plot vuajtje e mundime, por kurdoherë të mbushur me shpresë e krenari.”

Këto fjalë të mira të tij i kam ruajtur shumë vjet sepse kanë dalë nga një shpirt i madh prej një idealisti të kalibrit të tij të veçantë dhe një njeriu fisnik e shumë trim. Smaka ishte shumë i gjallë. Anëtar i Komisionit Kushtetutar për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të miratuar më 1990 në Kaçanik. Një nga katër konsulentët kosovarë për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të miratuar në vitin 1997. Anëtar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të miratuar, në Prishtinë, në vitin 2008. Ai ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Ai mbajti edhe shumë e shumë funksione të ndryshme në Republikën e Kosovës. Por profesor Smaka do të mbahet mend si njeriu që kurrë nuk u pajtua me vendimin e Kuvendit të Kosovës për t’i dhënë Malit të Zi tetë mijë e ca hektarë tokë të Kosovës, përfshirë këtu Çakorrin tonë të dashur.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës!

U prehtë në paqe miku im i dashur, Prof. Dr. Riza Smaka!

Në Uashington, 3 Janar 2021

(Në fotografi, profesor Zymer Neziri, Shaqir Salihu dhe Prof. Dr. Riza Smaka, gjatë një vizite timen në Kosovë në prill të vitit 2019.)

Comment

*