Kuvendet e krahinës së Kardhiqit në Labëri

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI Instituti i Studimeve Historike Ushtarake

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Instituti i Studimeve Historike Ushtarake

(Kuvendet-parlamente të fjalës dhe besës – gurë kilometrik të shekujve)

Shqiptarët nuk i asimiluan pushtimet e gjata dhe as synimet e lakmitë e fqinjëve që synonin copëzimin e trojeve. Gjatë rrugëtimit luftarak shqiptarët u ndeshën me gjithëfarë pushtimesh. E etiketuan larmishëm si popull, por ai mbeti stoik në kërkesa ku e para ka qenë: “liria”. Kjo vërtetohet në dhjetra e dhjetra kuvende në veri e në jug të trojeve shqiptare. Erdhën dhe ikën pushtues nga lindja e perëndimi, nga veriu dhe jugu dhe kërkesa gjithëshqiptare ka qenë: “liri për truallin shqiptar”. Shekujve ka stacione të fuqishme të kërkesës me forcë e përgjakje për ruajtjen e identitetit të shqiptarëve, si Mbretëria e pavarur e Arbërit (1190-1255) një mbretëri me rrënjë shqiptare, që ishte shteti i parë shqiptar i mesjetës. Ky pasoi me themelimin e shtetit të parë te Arbërisë me Krujën si kryeqendër u zhvillua më 1190. Historia përmend Progon Skurraj, dhe të bijtë Gjin e Dhimitër Skurraj dhe nipi Gulam Skurraj, që ishin princër e sundimtar të mëdhenj të Shqipërisë mesjetare. Në këtë periudhë njihen edhe stema e famshme e Arbërit e gjetur nje shqiponjë e zezë me sfond të kuq e gdhendur në gurët e kështjellës. Principata e Arbërit e cila u shkri në vitin 1255 u pasua me principatën e Kastrioteve, nga e cila doli Skënderbeu. Në Krujë principatë e madhe ishte e Topiajve, në Artë e Janinë sunduan Shpatajt zemërluan, në Gjirokastrën kaonike zenebishët, në Gegëri Dukagjinët, Muzakajt në Myzeqe, arianitasit në Berat etj. Kështu ishte sunduar Shqipëria me fise e principata arbëre. Por traditat e kuvendeve dhe odave shqiptare sollën një risi në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Parë nga këndvështrimi, jo vetëm i shtrirjes gjeografike, por edhe nga këndvështrime të tjera, kuvendet patën rëndësi historike në organizimin e popullit për të përballuar vërshimet e të huajve. Populli i Labërisë, sikurse i gjithë populli shqiptar, i shquar për atdhedashuri e trimëri, ka bërë qëndresë shekullore dhe luftëra kundër pushtuesve të huaj, për liri e pavarësi kombëtare, për të ruajtur vetëqenien, identitetin kombëtar, gjuhën, zakonet e traditat e veta kulturore të trashëguara nga paraardhësit e tyre, ilirët. Këtë e favorizonte edhe pozicioni gjeostrategjik, me terren malor e bregdetar dhe me potencial të madh njerëzor, luftëtarësh me përvojë. Labëria ka njohur mjaft kuvende të rëndësishme që njihen në historinë e popullit shqiptar, si i Shpellës së Papa Zhulit, Himarës, Senicës, Progonatit, Mesaplikut, Cepos, Shtëpëzit, Kuçit dhe kuvende të tjerë, të cilët lidhen drejtpërsëdrejti me kryengritje massive popullore si dhe me reforma të së drejtës zakonore të Labërisë. Kuvendet shqiptare shekujve janë me dhjetra e qindra, që të gjitha me objekt mbijetesën kombëtare, lirinë, gjuhën dhe indipedencën.
Në memorien kombëtare shqiptare kanë ngelur: Kuvendi i Shpellës së Zhulit më 1081, ku u mblodh pleqësia e të urtëve të Labërisë; Kuvendi i Besëlidhjes (1444) në Lezhë; Kuvendi i Dukagjinit i vitit 1601-1602; Kuvendi i Kucit (1614) në veri; Kuvendi i Arbërit (Koncili) i vitit 1703; Kuvendi i besës i Senicës (pranë Qafës së Skërficës) më 1770; Kuvendi i Taroninës më 1773, pranë Fushëbardhës e Zhulatit; Kuvendi i Progonatit (1846); Kuvendi i Mesaplikut (1847) e udhëhequr nga luftëtari i shquar Zenel Gjoleka nga Kuçi; Kuvendi i LSHP në Prizren (1878); Kuvendi i Gjirokastrës (1880); Kuvendi i Frashërit më 1880; Kuvendi i Junikut (21-25.5.1912); Kuvendi i Dibrës më 1899; Kuvendi i Sinjës (23.7.1912); Kuvendi i Vlorës më 28 nëntor 1912, që solli pavarësinë; Kuvendi i Shtëpëzit më 10 prill 1914, si kuvendi antiandart për shpëtimin e trojet jugore shqiptare; Kuvendi i kryengritësve të jugut në Manastirin e Cepos, (21.7.1911; Kuvendi i Murgullës (1920) në malësinë e Llapit; Kuvendi i Barçallasë më 1920; Kuvendi i Kuçit të Kurveleshit më 1924 etj.
Pesë nga kuvendet më sinjifikative janë mbledhur në harkun kohor të shekujve në Krahinën e Kardhiqit nga ku kanë dalë vendime që i kanë dalë zot vendit në periudhat më të errëta të historisë. Krahina e Kardhiqit është e lidhur edhe me emrin e një personaliteti historik: Papa Zhuli, i arsimuar në Aleksandëri dhe që është lartësuar përmes shekujve. Kuvendet dhe kryengritjet e luftrat kanë qenë bashkëudhëtare shekujve, në dokumentat e lindjes dhe të perëndimit, tek konteksti historik, i emrit “Zhulat” i vitit 655 (pas Krishtit), tek Kardhiqi e Humelica ndër më të vjetrit sipas historianit turk Halil Inalxhik. Është i njohur fakti që Lugina e Kardhiqit, Përroi i Zhulatit, Qafa e Skërficës, Lugina e Kalasës, deri në Finiq, nga autorët e lashtësisë njihet si “Rruga e Skerdilajtit”, sepse pikërisht ky ishte shtegu i fshehtë nëpër të cilën Princi Skerdilajt, kunati i Mbretëreshës Teuta, kaloi me luftëtarët e tij për të sulmuar pas krahëve Foinikasit, të cilët nga ana e tyre e prisnin këtë sulm nga deti ku sillej flota e udhëhequr nga Teuta”. Çdo fshat me emër, ka mitet e legjendat, dëshmitë e rrëfenjat, dokumente të vjetra historike për kuvende, për jetën e organizimet kundërpushtuese në Kardhiq, Rrëzomë, Kurvelesh, Gjirokastër, Çamëri, e më tej, përfshi dhe Fushëbardhën, Zhulatin dhe më gjerë. Labëria është ndër krahinat më të mëdha etnografike shqiptare. Kuvendet kanë zgjidhur çështje madhore dhe kanë mbushur boshllëqet institucionale nga mungesa e autoritetit shtetëror. Stacionet historike të shekujve në organizimin e kuvendeve në këtë krahinë kanë qenë mbresëlënëse si: Kuvendi në Shpellën e Zhulit (1081), Kuvendi i Senicës (1770), Kuvendi i Taroninës (1773), Kuvendi i Cepos (21.7.1911) dhe Kuvendi i Shtëpëzit (10.4.1914), që është quajtur ndryshe dhe kuvendi i besës për lirinë e trojeve jugore të Shqipërisë. Kronologjikisht:
1.Kuvendi i Shpellës së Zhulit (1081).
Rreth flamurit te perbashkuar - Copy (2)E drejta zakonore e Labërisë, ndonëse ka origjinë që nga lashtësia, gojëdhëna popullore ia atribuon Kanunin Papa Zhulit nga Gropa e Zhulit (Shpella e Zhulit), që i përket shekulli të XI, i cili, se ka qenë prift dhe si prijës i Kurveleshit i njohur nga normanët gjatë pushtimit të tyre (1081). Figura e Papa Zhulit i takon kohës së Bizantit, çka dëshmon se gjurmët e Kanunit të Labërisë gjenden qysh atëherë dhe kanë vepruar në praktikë krahas monokanonit bizantin. Për këtë legjendë ka shkruar edhe Eqrem Vlora (Shejzat 1957) pavarësisht se ende nuk janë gjetur dokumente të shkruara. Interesant është fakti se kjo gojëdhënë për Papa Zhulin në Labëri, ka shumë ngjashmëri me atë në Malësinë e Veriut, që i atribuon kanunin mesjetar Lekë Dukagjinit, apo Kanuni i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ndonëse nuk ka dokumente të plota arkivore. Sipas gjykimit të historianëve as Papa Zhuli dhe as Lekë Dukagjini nuk kanë qenë krijuesit e kodifikuesit e Kanunit, sepse normat e Kanunit kanë origjinë shumë më herët, por, në rastin më të mirë ata mund të kenë bërë ndonjë ndryshim të normave të vjetra për zëvendësimin me norma të reja në përshtatje me kërkesat e kohës, ose kanë ushtruar autoritetin e tyre për zbatimin e këtyre normave. Në Kurvelesh Papa Zhuli, ishte prijës dhe mençuri popullore që hyri në marrëdhënie me nomadët dhe krijoi marrëveshjen e parë duke ruajtur popullatën, mallin dhe të mjellat. Kjo marrëveshje u kthye në mit e më vonë në legjendë aq sa një ndër dijetarët historiografë të shekullit të XX Eqerem Bej Vlora e ngriti në art me publikimin e parë, që është një model kulturor dhe informative. Shpella e Zhulit fare pranë Fushëbardhës ka pritur e përcjellë, miq e armiq, mysafirë të ftuar e të paftuar. Rrugët drejt saj janë të vështira por jot ë pakalueshme drejt Fushëbardhës e krejt Labërisë, drejt qafave e majave për të sunduar mbi “Patkoin strategjik” të Skërficës; për të vëzhguar miq e armiq nga legjonet e falangat e deri tek ushtritë e Pirros së Epirit kaonik, ushtritë e nomadëve të Boemundit, e deri bizantasit, osmanët, grekët, gjermanët, italianët etj. Fakt është që në pranverën e vitit 1081, Roberti, Kryetari i Normanëve dhe konti sundues i Italisë jugore, filloi pushtimin e tokës shqiptare duke dërguar të birin Boemundin për pushtimin e brigjeve përballë Korfuzin, Vlorën e Durrësin. Është vërtetuar dhe nga shkrimtarët Ana Komnena, Protopatharius, Pjetër Dhjakono etj, se Boemundi mundi të kaloi nëpër malet e Shqipërisë përfshi dhe Qafën e Skërficës “duke bërë marrëveshje miqësore me popullatat luftëtare shqiptare” dhe prijësin Papa Zhuli, që e kishte selinë në (Shpellën e Zhulit) në Fushëbardhë. Fakt është se: “Kuvendi i Shpellës së Zhulit më 1081, kishte një prijës Papa Zhulin, por që tregimet brez pas brezi flasin për një këshill të të urtëve më të mençur që lidhën marrëveshjen që të mos ngacmonin ushtrinë e Boemundit dhe të mos ngacmoheshin prej ushtarëve të tij. Kusht i Papa Zhulit ishte që edhe ushtarët e Beomundit të mos shkaktonin asnjë dëm në Labëri. Marrëveshja ishte shenjë emancipimi mençurie e kulture që rrallë është materializuar edhe në kohët moderne. Në shoqërinë labe dhe më gjerë, si në çdo shoqëri tjetër njerëzore, në stadet më të hershme të saj janë njohur tabutë, si veprime të ndaluara dhe shkelësit e tyre dënoheshin me dënime të ndryshme”. Por në shoqëri kanë vepruar dhe normat e moralit, bazuar në filozofinë e së mirës e të keqes dhe përcaktonin se si duhej të silleshin njerëzit. Me zhvillimin historik të shoqërisë, si pasojë e dallimeve ekonomike shoqërore, u diktua nevoja e shndërrimit të zakoneve në norma të së drejtës zakonore. Në Labëri kanë ekzistuar sisteme të ndryshme të së drejtës, bartës të së cilave kanë qenë grupe të ndryshme sociale e kulturore, ndaj të cilave veprojnë këto sisteme. Në literaturën historike e juridike të vendit e të huaj, është pranuar se perandoria bizantine, si ajo romake, ishte e detyruar tu njihte bashkësive të ndryshme etnike, përfshirë Labërinë dhe gjithë shqiptarët, format patriarkale të ekzistencës së tyre kombëtare si dhe normat e së drejtës zakonore për vetëqeverisjen vendore. Konkretisht kanë vepruar e drejta romake, byzantine nga janë huazuar dënimet çnjerëzore me prerjen e gjymtyrëve, hundës, veshit etj. Nga ana tjetër sheriati, ligjet osmane, e drejta kishtare, e drejta zakonore, kanë pasur ndikime sidomos në marrëdhëniet familjare e martesore. E drejta zakonore e Labërisë, dhe ajo mbarë shqiptare nuk u asimilua, por në përmbajtje të saj, ruajti karakterin origjinal shqiptar e kombëtar dhe vazhdoi të mbijetonte e të zbatohej në praktikë. Ajo ishte pjesë përbërëse e qëndresës së popullit kundër pushtuesve të huaj. Një ndër rastet e rralla është pikërisht mbykqyrja e kalimit të pushtuesit përmes truallit që udhëhiqej mençurisht nga Papa Zhuli dhjetë shekuj më parë dhe që bënte marrëveshje 134 vjet para nënshkrimit të Magna Carta. Kuvendi (marrëveshja e para dhjetë shekujsh kishte ngelur gjurmë nën harresë, edhe pse kujtesa, legjenda dhe miti nuk shuhet nga kujtesa popullore e njerëzve. Papa Zhuli me kuvendin/marrëveshjen e parë u bë kështu nuni i urtësisë dhe mençurisë labe. Meqënëse burimet arkivore mungojnë dhe janë deri në kufijtë e së pamundurës si dhe të dhënat e tjera janë të pakta mbetet objekt studimi i së ardhmes, në arkivat e bibilotekat e tjera të vendeve të tjera e veçanërisht atyre të perëndimit. Do kalonin shekuj përmes luftrash, kuvendesh e kryengritjesh për të ardhur në vitin 1492, kur sulltanati i Portës së Lartë, i njohu zyrtarisht venomet kryeqendrës së Labërisë, Himarës, si zemra e kryengritjeve të Labërisë kundër pushtuesit. Venomet ishin e drejta për t’u vetëqeverisur me normat e saj juridike. Himara, për shekuj me radhë përfshinte bregun e detit deri në Butrint dhe gjithë pothuaj Labërinë e sotme. Nga dokumente të mëvonshme del se në Himarë bënin pjesë 56 fshatratra të Tepelenës, të Kurveleshit, Kudhësi, Smokthina, Mesapliku, Dukati, Tragjasi, Drashovica, Lapardha etj. Shtegtarët anglezë që kanë vizituar bregdetin jonian të Himarës që është i lidhur pazgjidhshmërisht me të gjithë Labërinë në shek.XVII, K.Liku, E.Liri, J.Hobhaus etj, shkruajnë për një kod zakonor të forte. Fakt është se vetëm në gjysmën e parë të shek. XIX, Himara u kufizua në shtatë fshatrat e njohura të Bregdetit: Himarë, Qeparo, Kudhës, Vuno, Pilur, Dhërmi e Palasë, pasi në reformën e re administrative Himara u ribashkua me fshatrat e lumit të Vlorës.
2. Kuvendi i besës në Senicë (1770)

Ketu u mbajt kuvendi i beses ne Senice

Ketu u mbajt kuvendi i beses ne Senice

Kuvendi i besës ishte Kuvendi i besës së burrave, i mbledhur në Senicë (Delvinë) më 1770
Sipas gojëdhënës popullore këtu mund të përmenden Kuvendi i burrave, i mbledhur në Senicë midis Fushëbardhës dhe fshatit Vergo ose midis kazasë së Kardhiqit dhe kazasë së Delvinës në vitin 1770. Kuvendi udhëhiqej nga plaku i urtë e i mençur Idriz Sulli që kapedanët, agallarët dhe bejlerët e kohës në të gjitha trevat i drejtoheshin me fjalët “Ati ynë”. Senica, nga pozicioni gjeografik, ka qenë dhe mbetet pikëlidhja e zonës me trevat e tjera fqinje. Në Senicë shkonte rruga e karvaneve të zonave, me han ku udhëtarët tregtar kalonin natën e të nesërmen shkonin në Delvinë e Vurg për blerje e shkëmbime mallrash. Senica ishte i vetmi fshat që nuk ndërroi besën dhe sot ka gurin e besës dhe shpellën e besës. Kuvendi i Senicës, ky tubim burrash me emra të dëgjuar të kohës, u quajt ndryshe edhe, “Palcimi (pajtimi) i Senicës”, ose “Besëlidhja e Senicës”. Ai u mbajt në një fshat me popullsi autoktone dhe nga masa e popullit, iu vu edhe emri tjetër, “Palcimi i Senicës”, pasi, qëllimi kryesor i tij, ishte lënia një herë e përgjithmonë i gjaqeve e hasmërive, përçarjeve në emër të fesë nga të huajt, si dhe zëvendësimi i tyre me të tjera detyrime me karakter moral dhe material. Në periferi të fshatit Senicë, te shkëmbi i kishës që i thonë, në dy kamare të zgjedhura posaçërisht, u vunë për betimin e pjesëmarrësve, në njërën kamare Ungjilli, simbol i të krishterëve dhe në kamaren tjetër u vu Kurani, simboli i pjesëmarrësve myslimanë. Kjo gjetje ishte pjesë e mençurisë së burrit të urtë, Idriz Sulli, e cila do t’i sillte një mbarësi të padëgjuar atij kuvendi të lartë patriotik. Përfaqësuesit në Kuvendin e Senicës erdhën nga Delvina, Fushëbardha, Zhulati, Filati, Smokthina, Himara, Vunoi, Qeparoi, Borshi, Piqerasi, Shuvasija, Nivica, Tatzati, Kalasa, Kardhiqi, Lukova, Lunxhëria. Një pjesë themelore se nga vinin delegatët del edhe përmes vargëzimit popullor: “..Gjëmon vendi nga oshtima,/Vijnë kalorës, vijnë trima,/Nga Himara, nga Smokthina,/Nga Labova nga Delvina…”. Pjesëmarrës në Kuvendin e Senicës ishin nga të gjitha rrethinat e kazatë e Jugut të vendit, që nga Lumi i Vlorës e deri në Çamëri, por pjesëmarrjen më të saktë e sjell vargu i këngës, kushtuar atij organizimi të pazakonshëm: Kristo Koka nga Vunoi, Jani Milo nga Himara, Spiro Gjika nga Qeparoi, Miho Gjini nga Piqerrasi, Qesko Hila nga Lukova, Hajdin Shehu nga Kalasa, Stefan Prifti nga Shënvasia, Kolë Mili dhe Jano Kumia nga Nivicë – Bubari, Dajkua i Lëkurësit, Bedo Hodo nga Borshi, Demir Dosti nga Kardhiqi, Kostë Prifti nga Senica, Toto Rusha nga Progonati, Idriz Sulli nga Zhulati, Osman Sina nga Tatzati, Sheh Sejkati nga Filati i Çamërisë, Dalani nga Konispoli, Kallapodhi i Delvinës, nga Smokthina e Vlorës, Zoto Mahmuti, Igumeni i Katerinës – Çamëri, Allajbeu i Navarricës, e mjaft të tjerë, të cilëve, kënga s’ua zë emrat në gojë. Fakti që Kuvendi u mbajt në një fshat që i përkiste jo mysliman siç ishte fshati Senicë. Megjithëse sikurse thotë Faik Konica, i cili analizon realitetin shqiptar shprehet se: “Në Shqipëri ka ekzistuar toleranca fetare dhe është i vetmi vend i Evropës, ku nuk ka pasur luftëra fetare”. Besimi kristian me pjesëmarrjen e gjerë edhe të përfaqësuesve nga shumë fshatra që ishin kthyer në shekujt e sundimit osman në besimin mysliman, ishte me rëndësi politike kombëtare. Ai dëshmoi për tolerancën e madhe fetare që ekzistonte në Labëri dhe njëkohësisht për qëndrimin e vendosur patriotik të popullit në mbrojtje të zakoneve e të traditave të tij. Me guxim e vendosmëri ai përballoi politikën shtypëse të pushtuesve osmanë, propagandën presionet e intrigat e Patriarkanës së Stambollit, politikën nacionaliste ekstremiste të shovinistëve fqinjë e të kishës ortodokse greke, për të përçarë e prishë harmoninë fetare për bashkëjetesë të banorëve të këtyre krahinave. Pikërisht për këto arsye marrjen e vendimit të përbashkët të Kuvendit populli e quajti: “Në Senicë u bë palcimi” dmth. pajtimi, bashkimi. Krahas së drejtës zakonore vepronte edhe e drejta kishtare përsëri në këtë ngjarje del qartë se e drejta zakonore zbatohej në praktikë pa u shkrirë me të drejtën kishtare e Sheriatin. Kuvendi i besës në Senicë vërteton më së miri atë platform emergjente të rilindjes kombëtare se: “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në Këtë kuvend u lidh besa dhe në kamare u vendosën si bible dhe kurani, ku u dha besa për mbrojtjen e të drejtave pa dallim feje. Këto ligje të pashkruara ishin të njëjta për të gjithë pavarësisht nga përkatësia e besimit fetar, ndryshimi i fesë nuk kishte sjellë pengesë në zbatimin e së drejtës zakonore në Labëri, por ishte në harmoni me ndjenjat individuale të besimit fetar. Kuvendi, me rëndësi të veçantë historike i Senicës diskutoi shumë probleme që kërkonin zgjidhje të ngutshme shoqërore dhe vendosi:“1.Ruajtja e tërësisë së trojeve e sinorëve prej sulmeve të herëpashershme të armiqve; 2.Ndërtimi i jetës dhe i punës jashtë rregullsisë së ligjeve perandorake osmane; 3.Rregullimi i marrëdhënieve ndërfisnore mbi bazën e pleqësive e mençurive të lashta, 4.Kapedanët e krerët patriot vendosën mbi të gjitha palcimi (pajtimi) ndërnjerëzor, jashtë zakoneve të egra e ndasive fetare. si dhe shumë rregulla të tjera të karakterit shoqëror”. Një ndër problemet shqetësuese që njihet historikisht si fenomeni mizor i gjakmarrjes në tërë trevat në Shqipëri, që nga lashtësia e deri në ditët tona ishte pengu më i rëndë ajo e shuarjes gjakmarrjes që çonte në shuarjen me rrënjë e degë të atij fenomeni gjakësor, shfarosës njerëzish, veçanërisht të gjinisë mashkullore. Gjenezat e gjakmarrjeve ishin të klasifikimeve të ndryshme, që nga ato me karakter ekonomik e shoqëror e deri tek ato të ndasive fetare, një konflikt tepër i vështirë, që, në shekuj kishte vënë përballë jo vetëm fise e fshatra, por edhe krahina të tëra, duke shkaktuar gjëma e tragjedi. Tragjizmi i këtyre gjakmarrjeve e kishte kaluar me kohë cakun e mbijetesës të meshkujve të mijëra e mijëra familjeve shqiptare. Por debatet rreth gjakmarrjes dhe nxjerrja e sharteve do të bëhej tre vjet më vonë në Kuvendin tjetër që do të drejtohej po nga Kanunlliu i njohur Idriz Sulli në Taroninë.

 

3. Kuvendi i Taroninës (pranë Fushëbardhës e Zhulatit) (1773)
Shqiperia e gjysherve - CopyKuvendi i dytë i madh me rëndësi të veçantë historike për të drejtën zakonore të Labërisë u mbajt më 1773 te rrapi i Agait, poshtë qafës së Taroninës, pranë Fushëbardhës dhe Zhulatit, nën drejtimin e burrit të shquar të zakonit dhe agait Idriz Sullit. Në këtë Kuvend morën pjesë burra të dalluar zakoni nga Kurveleshi, Himara, Bregdeti në tërësi, Rrëzoma, Smokthina, Delvina, Labova, Tepelena e deri nga Mallakastra, si dhe shumë burra të tjerë me emër të përmendur për luftrat antiosmne. Kjo ngjarje e madhe ishte dëshmi tjetër e gjallë e bashkimit dhe e vëllazërimit të njerëzve, burrave të zakonit që i përkisnin besimit, kristian e mysliman për mbrojtjen dhe reformimin e së drejtës zakonore në Labëri, e përjetësuar në këngën popullore. Gjeneza e kanunit dhe takimeve për t’i dhënë fund fenomenit të gjakmarrjes dhe hakmarrjes në ndryshim nga kanunet dhe zakonikët e tjerë të njohur në historinë e vendit tonë, tek të cilët spikat një rreptësi mizore në zbatimin e nyjeve (neneve) të tyre, shartet e Idriz Sullit dallohen për maturi dhe sens tepër human në të kuptuarit e çështjeve të shtruara për zgjidhje. Për shartet e Idriz Sullit, prej kohësh kanë hedhur mendime e kanë botuar trajtesa mjaft studiues të shkencave historike e juridike, por këtu përmendim Prof. Dr. Ismet Elezi dhe studimet e tij shkencore.

Kështu, në librin e tij studimor, “E drejta zakonore e Labërisë në planin krahasues”, vërteton këtë fakt tepër të rëndësishëm: “Shartet e Idriz Sullit pasqyronin ndryshimet që kishin ndodhur e po ndodhnin në marrëdhëniet në prodhim, kur, krahas atyre që ishin sunduese, po zhvilloheshin edhe marrëdhëniet kapitaliste. Kjo normë e re në të drejtat zakonore kishte anën e vet pozitive, sepse lejonte pjesëmarrjen e gruas në punë, që shënonte objektivisht një hap përpara drejt çlirimit nga shtypja dhe pabarazia me burrin”. Shartet e Idriz Sullit, pjesa më e rëndësishme dhe më e madhe e tyre, e radhitur sipas forcës vepruese, përbën në vetvete një kanun, i cili nga studiues të mirëfilltë shkencor, është cilësuar si “Kanuni i Idriz Sullit”. Shartet, këta rregullatorë të jetës së banorëve të trevave jugore të vendit, u sanksionuan kryesisht në dy kuvende vendimmarrëse, të udhëhequra nga ideatori i tyre, Idriz Sulli.

Këta kuvende ishin Kuvendi i Senicës, rreth vitit 1770 dhe Kuvendi i Taroninës, afër Fushëbardhës dhe Zhulatit, ose, siç është cilësuar ndryshe nga rrëfimtarët ndër breza dhe këngët, “Kuvendi i Rrapit të Agait” pranë një burimi të ftohtë, rreth vitit 1773.

Më konkretisht, ja kuintenca e nyjeve (neneve) të këtij rregullatori jetësor, i cili zuri fill përgjatë shekullit të 18-të, përmes përpjekjeve të mëdha të njerëzve përparimtarë të asaj kohe:

“1.Bashkim e vëllazërim pa dallim krahine e feje; 2. Ndalimi i gjakësive dhe i hasmërive dhe zëvendësimi i tyre me sanksione të tjera jo gjakësore, ekonomike e morale; 3.Ndëshkimi në shkallën më të lartë agjenteve dhe i spiunëve të pushtuesve të huaj; 4.Sanksione ndëshkimore me karakter ekonomik për vjedhjet dhe bastisjet; 5.Nyje e veçantë për rregullimin e jetës së brendshme të fshatrave e krahinave, veçanërisht në drejtim të marrëdhënieve të ndërsjella shoqërore e miqësore. 6.Rregullsi mbi lidhjet e krushqive dhe martesave, jo vetëm mbi bazën e pasurisë dhe të sërës, por dhe mbi atë të fisnikërisë, mençurisë, urtësisë dhe te aftësive fizike të pretendentëve për bashkëshorte. 7.E drejta e zgjidhjes martesore dhe detyrimet morale dhe ekonomike, veçanërisht për gruan e ndarë; 8.Sanksione të veçanta për detyrimet e personave përgjegjës për dëmet ekonomike të shkaktuara, vetjake apo kolektive qofshin, si dhe shkallëzim, masa zhdëmtuese; 9.Detyrimet e çdo familjeje, fisi, fshati e krahine për nxjerrjen në luftë kundër pushtuesve te një luftëtari në çdo derë; 10. E drejta për mbajtjen e armës dhe përdorimi i saj vetëm për punë të dobishme mbrojtëse;11.Detyrimi moral, ekonomik e ruajtës i objekteve të kulteve fetare, si dhe e drejta për pelegrinazh në to brenda rregullave të shërbimeve klerikale”;

Këto e të tjera rregullsi ligjvënëse me karakter masiv, me nyje e nën nyje të shumtë të natyrës së thjeshtë për zbatim konkret, përbëjnë “Shartet e Idriz Sullit”, i cili erdhi i paprekur deri në ditët tona përmes një rreptësie të habitshme ekzekutive nga vetë banorët e trevave, nga Lumi i Vlorës e deri në Çamëri, të interesuar gjer në vetëmohim për materializimin e tyre në mbrojtje të përparimit të kohës.

Kuvendi i burrave bëri shtesa e ndryshime të rëndësishme në Kanunin e vjetër lab të Papa Zhulit, duke pranuar norma të reja, të cilat u njohën me emrin “Shartet e Idriz Sullit”. Ato janë zhvillim e pasurim i mëtejshëm i së drejtës zakonore të Labërisë, të cilat u kundërvihen ndikimeve të Sheriatit, që kishte filluar të zbatohej në Labëri pas reformave të Tanzimatit (1839).

Postulat i legjislatorit Idriz Suli ka qenë: “bashkimi, nderi, karakteri dhe puna që sjell pasuri”, që poetët e kanë sjellë në vargje: “Nga bashkimi vjen fuqia,/Nga fuqia ruhet nderi,/Nga puna rrjedh pasuria,/Dhe na ruhet karakteri”. Një ndër zgjidhjet më të rëndësishme që dha ligjislatori popullor ishte pikërisht ajo e kufizimit në maksimum të gjakmarrjes, kësaj plage të rëndë të shoqërisë shqiptare. Por treva labe e krahinës së Kardhiqit ishte truall kuvendesh, që në Labëri thohet, “ua heq dera”, “për kuvend, për pushkë e për mencuri”. Kështu në botimin e “Bletës Shqiptare” të Thimi Mitkos shënohet se, në nëntorin e vitit 1828, në Rrëzomë të Delvinës, pikërisht në Senicë, u mblodh kuvendi i parësisë së Labërisë, i cili përgatiti themelimin e “Besëlidhjes Shqiptare” të Beratit, po atë vit. Por, në kulturën e krahinës sonë dhe atë kombëtare, një vend të nderuar ka zënë edhe monumenti shpirtëror i Labërisë, Kanuni i papa Zhulit, ose siç thirret edhe sot në disa fshatra, Kanuni i Idriz Sulit, i cili përbëhet nga mjaft ligje të pashkruara, por që janë praktikuar gjerësisht në jetën e banorëve të mbarë Labërisë. Në botimin e “Bletës Shqiptare” të Thimi Mitkos shënohet se, në nëntorin e vitit 1828, në Rrëzomë të Delvinës, pikërisht në Senicë, u mblodh kuvendi i parësisë së Labërisë, i cili përgatiti themelimin e “Besëlidhjes Shqiptare” të Beratit, po atë vit. Por, në kulturën e krahinës sonë dhe atë kombëtare, një vend të nderuar ka zënë edhe monumenti shpirtëror i Labërisë, Kanuni i papa Zhulit, ose siç thirret edhe sot në disa fshatra, Kanuni i Idriz Sulit, i cili përbëhet nga mjaft ligje të pashkruara, por që janë praktikuar gjerësisht në jetën e banorëve të mbarë Labërisë.

Në gjurmët e kanunlliut Idriz Sullit, 71 vjet pas kuvendit të Rrepeve të Agait, në pranverë të vitit 1844, u mblodhën sërish në Taroninë. Ka qenë një kincidencë në kujtim të kuvendit të legjislatorit të madh popullor lab Idriz Sulli, por për t’i dhënë impuls të ri kryengritjeve antiosmane në çdo fasht të Labërisë dhe më gjerë, me përgjigje të prerë: “Mbretit s’ja kemi takanë,/ me xhelep e me nizamë,/ me asqer e Tanzimanë”. Viti 1847 ishte viti i shpërthimit të kryengritjes më të madhe, që tronditi themelet e pushtimit. Kryengritjes i paraprinë krijimi i “Besëlidhjes Shqiptare” me 1846 dhe mbledhjet e saj në Picar, Taroninë, Progonat, Mesaplik etj., prej të cilave dolën udhëheqësit e kryengritjeve. Luftëtarët labër nga Fushëbardha, Zhulati, Picari, Golemi, Kardhiqi e dhjetra fshatra të tjerë drejtoheshin nga Gjoleka sulmuan dhe morën nën kontroll Delvinën. Ata treguan heroizëm të rrallë duke shpartalluar forcat osmane. Humbjet e pësuara e detyruan Portën e Lartë që me forca të shumta nga Thesalia, Manastiri e Janina. Betejat vijuan gjatë përballë “Besëlidhjes Shqiptare”. Këtë herë ishte një gjeneratë e fuqishme luftëtarësh të ardhur që nga Berati, Mallakastra, Vlora, Janina, Korça e Skrapari si dhe nga Çamëria. Forcat kryengritësve, udhëhiqeshin nga kapedan Zenel Gjoleka, që sikurse shkruante udhëtari anglez E. Spenser, që udhëtonte në këtë kohë nëpër Shqipëri: “Heroi i ditës kudo është Gjoleka”. Kryengritja e përgatitur fshat më fshat u rrit si vullkan popullor dhe më 1847-ës shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj.
4. Kuvendi i Cepos më 21 korrik 1911

Ismail Hako Libohova me luftetare nga Jugu viti 1910-1911.

Ismail Hako Libohova me luftetare nga Jugu viti 1910-1911.

Kuvendi i Cepos është gur kilometrik i shekujve në vijim të traditës së kuvendeve. Cepua përngjan me një vendkomandë lufte, por edhe si një vend peligrinazhi sepse pranë është Manastiri i Cepos që është një ndriçim i memories historike të Labërisë për besimin e hershëm kristian të krahinës së Labërisë. Cepua është gjithashtu vendi që banorët e quajnë Stalingradi i krahinës së Kardhiqit. Manastiri ka qenë në vijimësi shtëpia e kuvendeve. Historikisht kapedanët e prijësat mblidheshin poshtë shpatit verior të Malit të Gjerë, një prerje shkëmbore dhe një pikë dominuese strategjike midis Kardhiqit dhe Luginës së Drinos. Kurveleshi, Kardhiqi, Fushëbardha, Tepelena, Lunxhëria, Picari, Kolonja, Golemi. Këtu ishte parlamenti i fjalës dhe besës. Manastiri në Cepo njihej nga vendasit dhe të huajt, për pozicionimin gjeografik strategjik, si vendi i shenjtëruar i besimit, i bekimit dhe i faljes. Këtu ishte selia kundër të gjithë pushtimeve në të gjitha kohrat. Kuvendi i Cepos miratoi një memorandum që pati 43 nënshkrime që ju dërguan qeverisë Xhonturke. Në mbeshtetje dhe ne krye të çetave që vepronin në jug ishin Namik Delvina, Çerçiz Topulli, Sulo Beqiri, Selam Musai, Sali Vranishti, Halil Sullo, Muharrem Rushiti, Musa Demi, Spiro Bellkameni, Qamil Panariti, etj. Kuvendi i Cepos, i korrikut të vitit 1911 është ngjarje madhore e Rilindjes Kombëtare në përpjekjet për autonomi. Është një kuvend masiv me pjesëmarrje rreth 800 luftëtarë, burra të mençur të fjalës, oratorisë dhe të dyfekut. Historiografia e ka “fshehur”, dhe e ka lënë t’i bjerë “pluhuri i harresës”. Edhe pse Cepua ka qenë gjithmonë si gur kilometric i shekujve si referencë e luftrave për liri rrallë e ndeshim në literaturën historiografike në tekste historie apo në libra enciklopedie. Kuvendi i Cepos i përket ngjarjeve të mëdha historike të etapës së fundit të kryengritjeve të përgjithshme të viteve 1910–1912, që çuan në kurorëzimin e Lëvizjes Kombëtare me Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Në Kuvendin e përfaqësuesve të popullsisë të kryengritësve të jugut në Plesat të Krahinës së Kardhiqit, morën pjesë rreth 800 luftëtarë. Kuvendi diskutoi për qëndrimin që do të mbahej kundrejt regjimit të ri xhonturk të Osmanëve të rinj në kushtet e shpërthimit të kryengritjeve në malësitë veriore si dhe në përkrahjen nga popullsia e Shqipërisë së Jugut. Kuvendi i Cepos miratoi një memorandum dhe iu dërgua qeverisë së turqëve të rinj. Memorandumi u nënshkrua nga 43 kapedanë dhe prijësa luftarakë, përfaqësues të popullsisë së Kurveleshit, Gjirokastrës, Delvinës, Himarës, Filatit etj. Kuvendi ishte pjesë e shprirtit kryengritës shqiptar që zhvillohej për liri në të gjithë hapësirën etnike shqiptare. Momenti historik që po kalonte Shqipëria dhe aktiviteti kryengritës brenda vendit si dhe aktiviteti intelektual shqiptar në qendrat e kancelarive i jepte një vlerë të veçantë e të jashtëzakonshme, sepse me vendimet që mori i përgjigjej detyrave historike kombëtare në atë periudhë të ngarkuar. Parë në sfondin historik roli dhe misioni i Kuvendit të Cepos ishte në një shtrat tejet të përshtatshëm me zhvillimet e situatës politiko-shoqërore dhe lëvizjes kombëtare shqiptare, me përpjekjet Besëlidhjes së Kurveleshit, të Mesaplikut, Picarit etj. Bashkimi i trojeve shqiptare në dy pashallëqeve shqiptare, atë të Shkodrës dhe Janinës, për shumë arsye nuk mundësuan as autonominë shqiptare. Reformat centralizuese, si reformat e Tanzimatit, zgjuan kryengritjet e para të armatosura, të cilat vazhduan për dhjetëra vjet. Kuvendi i Cepos i 21 korrikut 1911 në memorandum e tij kërkonte: “1.Njohjen e shqiptarëve si komb i bashkuar autonomist; 2. Përcaktimin e saktë të kufijve dhe territoreve ku do të shtrihej shteti i shqiptarëve; 3. veçimin e kombësisë shqiptare nga fqinjët, për t’u prerë rrugën pretendimeve shoviniste të shteteve ballkanike mbi trojet shqiptare dhe eleminimin e rrezikut të copëtimit të vendit si dhe 4. përkrahte programin për autonomi të Kuvendit të Greçës dhe kërkonte nga xhonturqit të drejta e privilegje të njëjta për të gjithë shqiptarët sikurse kombet e tjera të perandorisë, 5. autonomia territoriale–administrative e Shqipërisë, edhe pse nuk ishte shprehur fjalë për fjalë, kërkonte të unifikonte vilajetet e Shqipërisë në një njësi të vetme administrative; 6. Kuvendi kërkoi një amnisti të përgjithshme për pjesëmarrësit e kryengritjes; 7. Kuvendi kërkoi gjithashtu lirinë e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat fillore dhe zhvillimi në të gjithë vendin i reformave administrative”. Kuvendi i Cepos dëshmonte karakterin unik të Lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të mendimit politiko-shoqëror kombëtar. Kuvendi në Cepo u bë bartës dhe shprehës i vullnetit politik kombëtar të gjithë shqiptarëve duke shprehur njëzëri kërkesën për autonomi të trojeve me popullsi shqiptare. Një vit pas këtij kuvendi Shqipëria shënoi ngjarjen më madhore të shekujve që ishte pavarësia; ndërsa në vitet 1913-1914 Labëria u pushtua, u shkatërrua e masakrua nga andartet grekë. Në muajt gusht–shtator 1916, banorët e Kurveleshit të zhvendosur me dhunë, pas dy vjetësh u kthyen nga lumi i Vlorës në fshatrat e tyre të djegur e të shkatërruar krejtësisht, që ndodheshin nën pushtimin italian pas atij grek. Kjo gjendje vazhdoi edhe pas mbarimit, të Luftës së Parë Botërore ose Luftës së Madhe më 1918 dhe deri në luftën e Vlorës (qershor-shtator 1920). Gjatë këtyre pushtimeve të huaja, Labëria vazhdoi të vetëqeveriset nëpërmjet së drejtës zakonore. Po të analizojmë debatin në kuvende dhe vendimet e marra në thelb kanë që të gjitha një emërues të përbashkët: luftë pakompromis për lirinë e Shqipërisë dhe bashkimin e shqiptarëve; emacipimin, zhvillimin, progresin, gjuhën shqipe; marrëveshje e kopromise historike në interes të shqiptarëve.
5. Kuvendi i Shtëpëzit më 10.4.1914.
Kuvendi i Shtëpëzit – besë për lirinë e Shqipërisë
Luftetare te lirise se Shqiperise - Copy Në Shtëpëz më 10 prill 1914, kapedanët e Labërisë u mblodhën në një kuvend bese për të nisur organizimin luftarak të kryengritjes së përgjithshme popullore antiandarte, me qëllim që të ndalnin dorën gjakatare e kriminale pushtuese në Jug të vendit. Në Labëri dhe në mbarë kombin shqiptar, që në historiografi është i njohur Kuvendi i besëlidhjes së Shtëpëzit, ku u firmos kushtrimi. Kapedanët shkuan në Shtëpëz në kuvendin 1914-tës, ku lidhën besën. Shtëpëzi ishte përballë manastirin e Cepos së kuvendeve, një karakoll mijravjeçar mbushur me ngjarje heroike, me kuvende, ku “shkruhej” e ardhmja. Pjesëmarrës në kuvend ishin paria e Labërisë, kapedanë e prijësa nga Fushëbardha Halil Sullo, legjenda e pushkës, burrërisë e mendjemprehtësisë, nga Golëmi ishte kordinatori i katër çetave Solo Beqiri, luftëtar trim dhe i meçur, legjenda e luftëtarit kombëtar Çerçiz Topulli, me Hito Labin (Lekdushin) dhe Bajram Ligun (Prongjia), trimi e luftëtari i paepur Hasan Xhiku, legjenda e të gjithë luftrave me osmanët, grekun e italianin e 20-tës Selam Musa Salaria etj. Në kuvend kishte edhe prijësa e kapedanë nga gjithë fshatrat e Kurveleshit të sipërm dhe të Kardhiqit si dhe nga luftëtarë të Lunxhëria, Rrëzoma, Bregdeti etj. Në Shtëpëz, në fshatin e Shane Shtëpëzit kishin mbritur edhe një përfaqësi hollandezësh si: kapiteni hollandez De Ëal (De Ëaal), lejtnanti Juljus Sonne, dhe ekipi mjekësor i përbërë nga ushtarakët Tido Reddinguis, Van Vliet dhe civili De Groot. Takimi i Shtëpëzit u iniciua nga hollandezët, mbështetrur nga një batalion i xhandarmërisë shqiptare. Qëllimi ishte që të vëzhgohej nga afër tërheqja e ushtrisë greke dhe rivendosja e autoritetit të shtetit shqiptar. Takimi i Shtëpëzit ishte përzgjedhur në kohën e duhur, për arsye se operacionet e trupave greke përbënin një rrezik imediat tepër serioz. Për pasojë gjendja në frontin jugor ndiqej me shqetësim të madh edhe nga Qeveria e Vlorës; ndërkohë që Urdhëri i Fuqive të Mëdha ishte që ata të dilnin jashtë kufirit të njohur të “Shqipërisë londineze” të miratuar nga Konferenca e Ambasadorëve. Përzgjedhja e Shtëpëzit për kuvend ishte një zgjedhje kapedanësh si pozicioni gjeo-strategjik që i ngjan një ballkoni natyror, i etiketuar si “Ballkoni i Labërisë” dhe nga ana tjetër Shtëpëzi ngjante si një vendkomandë lufte në faqe të malit. Kuvendi i Shtëpëzit që është etiketuar, “Besë besës për larine e Shqipërisë” u zhvillua në hyrje të fshatit, pranë Kishës, tek Lisi i Kishës në Shtëpëz, ku me shumë përkujdesje e dashamirësi ishte shërbimi i nënave shtëpëziote së bashku me përfaqësuesit fetarë ortodoksë, myslimanë e bektashinj, të cilët siguruan mbështetjen me ushqime e kushte pune e strehimi për përfaqësuesit dhe prijësat e Labërisë, së bashku me burrat e fshatit besnik e fjalëpakë të cilët dolën garant për sigurinë e zhvillimit të suksesshëm të këtij kuvendi historic në të cilin folën Sulo Beqiri, Kapedan Çerçizi, Xhaferi nga Gusmari, Latifi nga Progonati, Halili nga Fushëbardha… “Fermani i kuvendit të Shtëpëzit” ishte i qartë: “..të mbyllet me çdo kusht e me çdo sakrificë Skërfica, kjo portë e moçme e Labërisë, nga kapedan Halil Sullo dhe burrat e Fushëbardhës, Zhulatit e Rrëzomës, por edhe luftëtarë të tjerë. Kapedan Sulo Beqiri me çetat e tij u vendos nga Manastiri i Cepos, Qafa e Shtufit, Gryka e Kaparielit dhe Rehovës, Jomenin dhe me radhë.. gjithë shtigjet e Kurveleshit dhe të Labërisë”. Vendimet e Kuvendit të Shtëpëzit ishin “sharte” si të Papa Zhulit dhe Idriz Sulli.

Pas debatesh të shumta dhe pas fjalës së kapedanëve u vendosën shtatë pikat e Kuvendit që kanë hyrë tashmë në histori si “Vendimet e Kuvendit të Shtëpëzit”, më 10 prill 1914: “1.Ngritja e çetave të luftëtarëve në çdo fshat dhe luftë deri në fitore mbi andartëve pushtues. 2.Organizimi i ruajtjes së fshatrave me roje të armatosur 24 orëshe dhe nxjerrja e luftëtarëve pararojë në gjithë rrugëkalimet kyçe: në Skërficë, Cepo, Ura e Kardhiqit, Lunxhëri. 3.Bashkëpunim me xhandarmërine e qeverisë së Durrësit, me ushtarakët hollandezë, furnizim me armatim e barna për luftëtarët e çetave. 4.Shpartallimi i qeverise antishqiptare të Zografos dhe përzënia jashtë trojeve shqiptare si dhe luftë kundër çdo aktiviteti diplomatik kundërshqiptar përfshi dhe të “Fuqive të Mëdha”. 5.Ndarja e zonave të përgjegjësisë luftarake midis çetave të fshatrave. 6.Ngritja e kadilereve ushtarakë si pleqësi me autoritet, për të gjykuar aktivitetin luftarak të luftës antiandarte. 7.U vendos që drejtimi i luftës do të bëhej nga një shtab luftarak që përbëhej nga Komandantët e çetave të fshatrave; ndërsa baza e furnizimit të luftës do të ishte populli dhe furnizimet që mund të vinin nga qeveria e Durrësit”. Pas Kuvendit në beteja dolen 120 burra luftëtarë në Fushëbardhë, 60 burra në Zhulat, 170 luftëtarë në Golem, 100 luftëtarë në Lekëdush, 80 luftëtarë në Gusmar, 46 burra në Rexhin, 110 burra në Nivicë e qindra luftëtarë të tjerë në çdo fshat të Labërisë.

One Response to “Kuvendet e krahinës së Kardhiqit në Labëri”

Read below or add a comment...

  1. ars says:

    Bravo Shqipnia e kuvendeve, Bukur fort po shkruni dhe per kuvendet e burrave te malcise o djemte e Kosoves, Malcise dhe kudo ka njerez te mencur e te shkollume. Hajt pra burra Shqipnia asht e jona krejt!

Comment

*