Kuvendi dështoi të miratojë rezolutë për lirimin e Haradinajt

Prishtinë, 10 janar 2017 – Kuvendi i Kosovës, pas debatit gati njëmbëdhjetë orësh, ka dështuar ta miratojë një rezolutë me të cilën do të kërkohej lirimi i Ramush Haradinajt, i cili është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Në propozim rezolutën e parashtruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,  e cila u mbështet nga partitë tjera opozitare, Nisma për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje, kërkohej që lirimi i pakusht i ish- kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, të ndodhë sa më shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore.

Po ashtu, kërkohej që BE-ja të përfshihet në mënyrë që të përshpejtohet lirimi i Haradinajt nga shteti francez dhe që Qeveria e Kosovës të obligohet t’i informojë institucionet ndërkombëtare se e refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e Jugosllavisë.

Në draftin e rezolutës së AAK-së kërkohej gjithashtu që bisedimet me Serbinë të ndërpriten deri në anulimin e të gjitha fletëarresteve të lëshuara nga Serbia kundër ish udhëheqësve dhe ish-ushtarëve të UÇK.

Me pikën e fundit të projekt-rezolutës nuk janë pajtuar deputetët e partive në pushtet, LDK-së dhe PDK-së, prandaj ajo  nuk është miratuar.

Në përpjekje për të shpëtuar diçka, grupet parlamentare të LDK-së dhe PDK-së kanë propozuar një projekt-rezolutë tjetër, në të cilën nuk kërkohej ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, por as ajo nuk është miratuar. (r.m.)

Comment

*