Kuvendi hap votimin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri

Në tri raundet e parë duhen 84 vota për të zgjedhur presidentin, kurse në raundet 4 dhe 5 mjaftojnë 71 vota

Prej orës 10 Komisioni i Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit u mblodh për raportin e “Shqyrtimit të kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës në votimin e raundit të parë, datë 19 prill 2017”.

Sipas ligjit kandidati duhet të marrë nënshkrimet e 20 deputetëve. Një deputet nuk mund të firmosë për dy kandidatë. Asnjë kandidaturë nuk është paraqitur për president të ri, që votohet fshehtas dhe pa debat.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama si aleatë qeveritarë i kanë 84 votat e duhura, por synojnë ta zgjedhin presidentin me mirëkuptim edhe me opozitën:

“Fillimit të raundit të parë të votimit ditën e mërkurë, data 19 prill ora 18 të vazhdojmë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri duke arritur konsesusin edhe me opozitën”.

“Do tentojmë që presidenti apo presidentja të ketë një mirëkuptim dhe një mbështetje”.

Kushtetuta në nenin 87 dhe Rregullorja e Kuvendit në nenin 109 përcaktojnë se votimi quhet i kryer edhe kur nuk ka kandidatë.

Në largësi jo më pak se shtatë ditë, në tri raundet e parë duhen 84 vota, kurse në të katërtin dhe nëse duhet edhe në të pestin, 71 vota.

Koha e skajshme e qëndrimit në detyrë të presidentit, përkatësisht Bujar Nishanit, është 24 korriku.

Comment

*