Kuvendi hapet me 1 minutë heshtje për ish-deputetin Prifti

Ashtu siç ishte paralajmëruar mbrëmjen e djeshme, Kuvendi nisi seancën sot në orën 8:30, aty ku u ndërpre ditën e djeshme me fjalën e deputetit të LSI, Shezai Rrokaj.

Deputetet mbajtën një minutë heshtje në nder të ish-deputetet Dritan Prifti i cili u nda nga jeta ditën e djeshme.

Një ditë më parë kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi pezulloi seancën. Shkak u bë deputeti i PD, Flamur Noka i cili nuk pranoi të largohej nga salla pas vendimit për përjashtim.

Debati në seancën e ditës së djeshme mes mazhorancës dhe opozitës nisi për procedurë, pasi kryetari i Kuvendit nuk i dha fjalën Flamur Nokës. Ky i fundit kërkoi të flistë për procedurë për ti kërkuar kryeparlamentarit Ruçi ti tërhiqte vëmendje kryeministrit Rama që sipas deputetëve të PD fyeu ish-kryeministrin Berisha.

Mbrëmjen e djeshme u mblodh edhe Byroja e Kuvendit, e cila me 5 vota pro dhe 3 kundër vendosi të përjashtojë nga punimet e Kuvendit deputetin demokrat Flamur Noka.

Për kërkesën tjetër të bërë nga deputetet e opozitës për përjashtimin e kryeministrit Rama, Ruçi tha se nuk e merr në konsideratë.

Në rend të ditës është pr/vendimi për ngritjen e Komisionit të Reformës zgjedhore.

/Oranews.tv/

Comment

*