Kuvendi i Kosovës po debaton për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti

Prishtinë, 25 mars 2020 – Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, e cila po mbahet në gjendje emergjente për shëndetin publik, për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila ka filluar në orën 11:00 paradite, po diskuton për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Mocioni është paraqitur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mocioni u inicua me vendim të kryesisë së partisë, pasi kryeministri Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun, njërin nga nënkryetarët e partisë, nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, duke e paarqitur mocionin tha se ishte kryeministri Kurti ai i cili vendosi t’i jap fund koalicionit qeverisës

“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri në aspekte të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe konsolidim të subjektivit ndërkombëtar të Kosovës ndërsa kryeminstri Kurti për më pak se 50 ditë pune përmes mosveprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe ne veçanti më Shtetet Bashkuara ka pamundësuar funksionimin e qeverisë”.

Ai tha se votimin e mocionit parlamenti “krijon mundësinë e një qeverie të stabilitetit me kohëzgjatje të kufizuar që do të adresonte sfidat imediate me të cilat po ballafaqohet vendi si në pozicionet e politikës së jashtme si në dinamikat e brendshme.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Mocioni është mbështetur opozita.

Kryeministri Albin Kurti, tha se “qeveria nuk rrëzohet kurrë për një ministër, përveç kur ai ministër është më shumë, kur ai ministri është plan”.

“Po e theksoj që në kohën kur po e menaxhojmë mirë koronavirusin, ende mirë, se këto dy javë janë vendimtare, në kohën kur populli e ka pritur shumë gjatë një qeveri të tillë, tash të bëhet mocioni i mosbesimit ta keni parasysh që nuk ka të bëjë as me tërheqjen e trupave, as me 200 milionë që nuk i ka parë ende askush, as me një ministër për të cilin unë nuk kam vendosur një ministër të partisë sime por e kam lënë vendin e zbrazët për një emër tjetër. Por thjeshtë në prapavijë të kësaj, e për këtë do të bindeni, qëndron shkëmbimi territorial i cili ka dështuar si projekt po nuk ka vdekur si ide”, tha kryeministri Kurti.

Ai u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme.

“Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takimin me të. Për dy orë e takova dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heqë këtë qeveri për taksën, por me heqë qeverinë e me i hapë rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të më kenë mua si bashkëpunëtor”, tha kryeministri Kurti.

Gjithë debatin e zhvilluar në këtë seancë  e karakterizuan akuza e kundërakuza të shumta midis deputetëve të pozitës dhe atyre të opozitës.

Tri partitë opozitare – PDK, AAK dhe NISMA – kanë deklaruar se do ta votojnë mocionin e LDK-së. (r.m.)

Comment

*