Kuvendi i partive shqiptare në Luginë të Preshevës mbahet të shtunën

Preshevë, 9 korrik 2018 – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, ka paralajmëruar se përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe të shoqërisë civile të Luginës do të mbajnë të shtunën një kuvend të përbashkët ku do të diskutohet mbi zhvillimet aktuale në rajon.

Mustafa ka thënë se në këtë tubim do të miratohet një deklaratë e përbashkët e të gjitha partive politike shqiptare, në të cilën do të kërkohet që shqiptarët në Luginë të Preshevës t’i realizojnë të gjitha të drejtat që do t’i realizojnë serbët në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se ekipi negociator i Prishtinës do të autorizohet t’i përfaqësojë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Dialogun mes Kosovës e Serbisë, në Bruksel.

“Ne do t’ua japim mandatin e plotë institucioneve të Kosovës që në emrin tonë të negociojnë dhe të kërkojnë që gjithë çfarë do të fitojnë serbët në veri të Kosovës të fitojnë edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar Mustafa për agjencinë serbe të lajmeve Fo-net. (r.m.)

Comment

*