Kuvendi i Malit të Zi votoi për hyrjen e vendit në NATO

Podgoricë, 28 prill 2017 – Deputetët malazezë ratifikuan anëtarësimin e vendit ballkanik në NATO – një kthesë historike drejt Perëndimit. Ratifikimi u bë mes protestave nga aleati tradicional i Malit të Zi, Rusia dhe nga opozita pro-ruse.

Deputetët, të mbledhur në kryeqytetin historik Cetinë votuan me 46 vota pro dhe asnjë kundër për ratifikimin e traktatit me NATO-n. Ata u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën vendimin. Parlamenti ka 81 anëtarë por opozita proruse e bojkotoi seancën. Qindra përkrahës të opozitës protestuan jashtë ndërtesës.

Mali i Zi ka një forcë të vogël ushtarake prej rreth 2 mijë trupash por pozita e tij strategjike i jep NATO-s kontroll të plotë në Adriatik. Vendet e tjera të Adriatikut, Shqipëria, Kroacia dhe Italia janë tashmë anëtare të Aleancës.

Përpara seancës, protestuesit prorusë hodhën parulla “Tradhëti”! dhe “Hajdutë!” dhe dogjën një flamur të NATO-s. Protestuesit mbanin një pankartë ku shkruhej: “vrasësit e NATO-s, duart tuaja janë të gjakosura!”

Zyrtarët thanë se anëtarësimi në NATO do të sjellë qëndrueshmëri dhe përfitime ekonomike pas trazirave shekullore.

Rusia është zemëruar nga zgjerimi i NATO-s me Malin e Zi, një zonë që tradicionalisht ka qenë në sferën ruse të interesit. Mali i Zi ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e një grushtshteti të përgjakshëm pas zgjedhjeve të tetorit të kaluar, që thuhet se kishte për synim të ndalte rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO. Rusia i ka mohuar akuzat.

Vendi me 620,000 mijë banorë historikisht ka qenë i ndarë mes ndjekjes së politikave pro-perëndimore dhe aleancës me aleatët ortodoksë, Serbinë dhe Rusinë. Mali i Zi e fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2006.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*