Kuvendi mblidhet sërish nesër, s’ka marrëveshje për formimin e institucioneve

Prishtinë, 13 gusht 2017 – Nesër (e hënë), për të katërtën herë radhazi, pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit, e ftuar nga kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci.

Seancat e kaluara dështuan pasi që deputetët e koalicionit fitues të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, që njihet me shkurtesën PAN, nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit. për të propozuar kandidatin për kreun e Kuvendit.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancën e radhës, pasi kanë kërkuar konsultime shtesë.

Përfaqësuesit e partive të këtij koalicioni kanë kërkuar që të mërkurën të mbahet edhe një takim konsultativ të përfaqësuesve të partive parlamentare, ku do të merrej një vendim konsensual për thirrjen e seancës.

Drejtuesit e PAN-it thonë se tashmë i kanë siguruar votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për formimin e qeverisë. Kryetari i PDK-së, Kadri Veselin, kandidat i PAN-it për kryetar të Kuvendit, dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kandidat i këtij koalicioni për kryeministër, kanë deklaruar të shtunën se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë do të përfundojnë brenda 10 ditësh. (r.m.)

Comment

*