Kuvendi miraton në parim projektbuxhetin 2018

Pas thuajse 17 orësh diskutime pa ndërprerje, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim buxhetin për vitin 2018 me 75 vota pro dhe 47 kundër

Totali i të ardhurave të këtij buxheti llogaritet në 464 miliardë lekë ndërsa shpenzimet në 496 miliardë lekë,  duke parashikuar një deficit prej 32 miliardë lekësh.

Sipas këtij buxheti, numri i përgjithshëm i punonjësve të administratës shtetërore, është 81 660 persona, ndërsa për vitin 2018 për shkak të bashkimit të disa ministrive, parashikohet lëvizja e një numri të lartë punonjësish nga një institucion në tjetrin.

Buxheti i vitit 2018 parashikon edhe 8 projekte kryesore infrastrukturore të përfshira në programin qeverisës “Shqipëria 1 miliard euro”, të cilat do të jenë në skemën e investimeve në partneritetin publik-privat.

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon libra falas për fëmijët e klasave të para deri në të katërta, si dhe parashikon ndryshimin e taksës së banesës, e cila me ligjin e ri do të jetë sipas vlerës së pronës.

Në këtë buxhet parashikohen të futen në skemën e TVSH-së të gjitha bizneset me mbi 20 mln xhiro në vit, por edhe heqja e taksës së turizmit për hotelet me 5 yje.

Opozita e ka konsideruar buxhetin një skenë të pastrimit të parave përmes projektit 1 miliard, madje është kërkuar edhe hetim ndërkombëtar nga struktura të specializuar të FBI-së.

Kuvendi miratoi emërimin e Ilir Zelës si kreu i ri i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Në përfundim, Kuvendi miratoi me 72 vota pro Eriola Sadushin, anëtare të bordit të Entit Rregullator të Energjisë.

OraNews

 

Comment

*