Kuvendi miratoi Buxhetin 2021 me përparësi shëndetësinë dhe veçanërisht përballimin e COVID-19

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria është gati për çdo situatë dhe se pagoi pjesën e parë të garancisë për vaksinën kundër COVID-19

Knid Ndrenika

Buxheti shton rreth 60 milionë euro mbështetje financiare të recetës bazë, rimbursim të të gjithë barnave në funksion të të infektuarve dhe rritje pagash për mjekët dhe infermierët.

Kur u shënua numri më i lartë deri më tani i të prekurve në 24 orë, përkatësisht 602 dhe viktimat ishin 8, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk ka mbetur prapa asnjë vendi në luftë me Koronavirusin.

Zoti Rama tha se përballë COVID-19 nuk ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është në Shqipëri, asnjë protokoll të veçantë mjekësor dhe as aparatura të veçanta.

Kryeministri u tha deputetëve në seancë plenare se qeveria është gati të për çdo situatë në shërbimin parësor dhe spitalor në tërë vendin:

“Shqipëria nuk ka mangut asgjë. Linjat e oksigjenit, aparaturat për pacientët me oksigjen, ventilatorët e nevojshëm për intubimin e atyre në gjendje të rëndë janë në të gjithë sistemin tonë të mbrojtjes kundër COVID-it. Vazhdimin e një mbështetjeje për të prekurit në kushte shtëpie, dyfish për familjet në skemën e ndihmës ekonomike. Qeveria brenda afatit mesnatën e sotme ka paguar kaparin për vaksinën”.

Projektligji “Për buxhetin e vitit 2021”, shqyrtimi i të cilit në parim ishte kryer në seancën paraardhëse, gjeti mbështetjen e 84 deputetëve, si edhe 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenime iu miratuan edhe amendimet përkatëse, të hartuara në një bllok të përbashkët pas fazës së shqyrtimit nen për nen në komisionet e Kuvendit.

Numri i përgjithshëm i viktimave në muajin nënëtor është 122, ndërsa prej fillimit në 8 dhe 9 mars kur u shfaq pandemia, 631.

Deputeti Anastas Angjeli u shpreh se Komisioni i Ekonomisë pati reflektuar të gjitha mendimet e komisioneve të Kuvendit, grupeve të interesit, opozitës dhe mazhorancës, si edhe vizionin e qeverisë.

Ai u shpreh se projektbuxheti i vitit 2021 mundësonte vazhdimin e thellimit të paketës shëndetësore dhe kujdesit ndaj shtresave në nevojë për përballimin e pandemisë.

2.4 miliardë Lekë më tepër se në 2020 për rritjen me 40% të pagave të personelit shëndetësor, 2.5 miliardë Lekë për ndihmën ekonomike, 28 miliardë Lekë për rindërtimin e pasojave të tërmetit, vënia në qendër të sektorit të turizmit dhe të bujqësisë, u listuan prej tij si pikat më të forta të këtij buxheti.

Gjithashtu, z. Angjeli, u shpreh se qeveria mbetet e vendosur të vijojë reformat e rëndësishme në drejtësi dhe për institucionet e pavarura, procesin e integrimit, gjithashtu edhe hapat në drejtim të ekonomisë së gjelbër, digjitale dhe përmbushjes së objektivave të mijëvjeçarit.

Me 80 vota pro, 15 kundër dhe 4 abstenim u miratua në parim edhe projektligji tjetër i lidhur me buxhetin, “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2019”.

Comment

*