Kuvendi s’ka pranuar ende kërkesë për ndarje të Vetëvendosjes

Prishtinë, 2 shkurt 2018 – Kuvendi i Kosovës nuk e ka pranuar ende kërkesën për e të një grupi të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të krijojnë grup të ri parlamentar.

“Lidhur me çështjen e ngritur, në administratë nuk kemi pranuar kërkesë për grup të ri parlamentar. Në momentin që pranojmë kërkesë të tillë, ajo do të publikohet në veb faqen e Kuvendit”, ka thënë për Express, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Koha.net ka raportuar se dhjetë deputetë të Vetëvendosjes e kanë dërguar në administratën e Kuvendit kërkesën për krijimin e një grupi të ri parlamentar.

Për këtë çështje, të enjten mbrëma është deklaruar deputeti Faton Topalli, emri i të cilit thuhet se gjendet në listën e deputetëve që do të krijojnë grup të ri parlamentar. Ai nuk ka dashur të japë më shumë detaje, por ka pranuar se diçka mund të ketë ndodhur.

“Nuk mund të them po ose jo. Kjo edhe mund të ketë ndodhur. Por, unë nuk e di. Zyrtarisht nuk jam njoftuar ende. Por, kjo edhe do të ndodhë ose mund të ketë ndodhur”, ka thënë Topalli për Express.

Në Listën e deputetëve që do të ndahen nga Vetëvendosje janë: Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani, Aida Dërguti, Shqipe Pantina, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Driton Çaushi dhe Donika Kadaj – Bujupi.

Nëse kjo listët mbetet përfundimtare, Vetëvendosje do të mbetet me 22 deputetë në Kuvend dhe do ta humbasë primatin e grupit më të madh parlamentar. (r.m.)

Comment

*