Kuvendi votoi ministrat e rinj Niko Peleshi i Mbrojtjes dhe Olta Xhaçka e Jashtme

Në seancën e jashtëzakonshme plenare për rreth 30 minuta një deputet votoi kundër zonjës Xhaçka me arsyetimin se ajo do të përdorej nga kryeministri Edi Rama për të firmosur marrëveshjen e kufirit detar jugor me Greqinë

Knid Ndrenika

Në seancën e jashtëzakonshme plenare të thirrur me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, Olta Xhaçka u lirua si ministre e Mbrojtjes dhe mori 95 vota “për” dhe 1 “abstenim” për ministre të Jashtme.

Niko Peleshi mori për Ministër të Mbrojtjes 94 vota për, 3 kundër dhe 3 abstenim.

Zoti Peleshi do të zëvendësojë ministren e larguar Xhaçka.

Ndërkaq, shkarkimi i Edi Ramës si ministër i Jashtëm, pasi detyrën ia kishte autorizuar të dorëhequrit Gent Cakaj, u bë me 95 vota “për”, dy “kundër” dhe dy “abstenime”.

Kryetari Gramiz Ruçi hapi sesionin eë jashtëzakonshëm të legjislaturës së IX të Kuvendit të Shqipërisë me rendin ditor:

1. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.889, datë 31.12.2020 “Për shkarkim ministri”.

2. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.890, datë 31.12.2020 “Për shkarkim ministri”.

3. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.891, datë 31.12.2020 “Për emërim ministri”.

4. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.892, datë 31.12.2020 “Për emërim ministri”.

Deputeti konservator Kujtim Gjuzi tha se vota kundër zonjës Xhaçka për ministre të Jashtme lidhej me interesin kombëtar shqiptar të përcaktimit të kufirit detar jugor me Greqinë:

“Zonja ministre e ka votën “kundër”, sepse jemi në një moment kur fqinjët tanë grekë duan të marrin zonën ekskluzive, atje kur del nafta. Edi Rama në këtë moment do të trysnojë ministren e re për të firmosur çështjen e detit”.

Marrëveshja e vitit 2009 me Greqinë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për kufirin detar.

Greqia ka zgjeruar javët e fundit kufirin detar me 12 milje deri pranë Sarandës.

Sakaq, sesioni i ri kuvendar hapet më me 18 janar.

 

Comment

*