Lajçak: BE dhe SHBA kanë të njëjtat interesa në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë, 15 tetor 2020 – Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja i kanë të njëjtat interesa sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Lajçak e ka thënë këtë pas takimit me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“BE-ja dhe SHBA-ja kanë të njëjtat interesa në Ballkanin Perëndimor. Ne duam të shohim rajonin të përparojë dhe të ketë perspektivë të vërtetë dhe të prekshme evropiane”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Edhe ambasadori Kosnett ka thënë se SHBA dhe BE do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të arrityr synimet e përbashkëta – normalizimin dhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pata kënaqësi të takohem me të Dërguarin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak për të diskutuar rreth temave me interes të përbashkët në dialog. Marrëveshja e Uashingtonit e plotëson këtë proces të udhëhequr nga BE’ja. Ne do të vazhdojmë që të arrijmë qëllimet e përbashkëta – normalizimi dhe njohja e përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak ka pasur takime me Presidentin, Kryeministrin, Kryeparlamentaren dhe me liderët e partive parlamentare, në pozitë dhe në opozitë.

Të enjten, emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi do të shkojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe autroritetet tjera politike të Serbisë.

(r.m.)

Comment

*