Lajçak në Beograd: Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin

Beograd, 16 tetor 2020 – “Çdo gjë që është dakorduar, duhet të zbatohet“, tha të enjten në Beograd i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të zbatohet, kurse tani duhet të diskutohet për statutin e Asociacionit.

“Hapi i radhës është të flitet për statutin e Asociacionit”, tha diplomati sllovak, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke folur në gjuhën serbe, Lajçak tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në interes të të dy popujve dhe të gjithë rajonit.

Sipas tij, parimi i parë këtij procesi “është që në fund të mos ketë çështje të hapura ose të pazgjidhura”.

“Qëllimi është normalizimi i marrëdhënieve. Se çfarë do të thotë normalizimi, duhet të merren vesh dy palët”, tha Lajçak, duke theksuar se “roli i BE-së është të ndihmojë, e jo të detyrojë“.

Lajçak tha se nuk dëshiron të japë afate për arritjen e marrë veshjes përfundimtare midis Kosovës e Serbisë, por shtoi se BE-ja do të ndihmojë që procesi të përmbyllet shpejt, siç është shprehur, “aq shpejt sa palët janë të gatshme të shkojnë”.

Lajçak, i cili qëndroi në kryeqytetin serb pas qëndrimit dy ditësh në Prishtinë, tha se asnjëri prej bashkëbiseduesve të tij në Prishtinë, nuk ka thënë se Kosova nuk do t’i përmbushin obligimet e saj.

Lajçak tha se zyrtarët kosovarë nuk kanë thënë “jo” as për ndryshimin e Kushtetutës.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se në takim me Lajçakun ka këmbëngulur në zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2013 me Kosovën, e cila përfshin edhe formimin e Asociacionit.

Ai tha se Serbia është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut, sado i vështirë të jetë ai.

“Sado të vështira të jenë bisedimet, është më mirë që ato t’i vazhdojmë, sepse druaj se kur nuk flasim mund të ndodhin incidente”, u shpreh Vuçiq.

(r.m.)

Comment

*