Lajçak: S’ka arrëveshje pa Asociacion as Asociacion pa Marrëveshje

Prishtinë, 15 tetor 2020 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin duhet të bëhet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, por shtoi  se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes. Por, detajet e Asociacionit duhet të dakordohen, si pjesë e negociatave, sepse në momentin e nënshkrimit (të narrëveshjes) nuk duhet të mungojë qartësia për ndonjë çështje ”, deklaroi ai.

Lajçak theksoi se pa krijimin e Asociacionit nuk do të ketë marrëveshje dhe se pa marrëveshje nuk do të ketë as normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi i vlerësoi të frytshme takimet me udhëheqësit politikë të Kosovës dhe se prej tyre ka marrë zotimin për vazhdimin e dialogut dhe për përmbushjen e zotimeve, përfshirë formimin e Asociacionit.

“Në të gjitha takimet partnerët e mi shprehën përkrahje për dialogun dhe qëndrimin se dialogu është i rëndësishëm për Kosovën. Konfirmuan se Kosova do t’i përmbushin të gjitha zotimet, përfshirë edhe Asociacionin”, u shpreh ai.

Lajçak theksoi se Kosova dhe Serbia duhet t’i mbyllin të gjitha çështjet e hapura me dialog dhe theksoi se një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet me kompromis të palëve.

“Dialogu i ofron Kosovës një mundësi për të diskutuar për të gjitha çështjet e pazgjidhura me Beogradin. Dialogu duhet t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura, por, në të njëjtën kohë, duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje mund të jetë vetëm rezultat i një kompromisi. Unë u bëra thirrje bashkëbiseduesve që të jenë të gatshëm për kompromis”, deklaroi Lajçak.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi u pyet përse Bashkimi Evropian heziton të thotë se qëllim përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke, siç bëjnë amerikanët. Ai tha se dialogu po zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë dhe se mandati i tij thotë “normalizim”.

“Ne po negociojmë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Mua nuk më përket ta përkufizoj çfarë është normalizimi. Kosova e ka bërë të qartë se çfarë është normalizimi. Edhe Beogradi e ka bërë të qartë. Do të mundohemi të gjejmë një normalizim. Unë jam për të lehtësuar procesin. Nuk më takon të them çfarë është ajo. Nuk jam në pozitë të dua marrëveshje më shumë se Kosova dhe Serbia. Nëse nuk ka vullnet për marrëveshje nuk do të ketë marrëveshje“, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se formimi i Asociacionit nuk do të bëhet pa arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Ai përsëriti se kjo marrëveshje duhet të përfundojë me njohje të dyanshme.

“Asgjë nuk fillon të zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Hoti, të martën, pas takimit me Lajçakun.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi që në tryezën e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë të diskutohet për njohje reciproke.

“Të hidhet në tryezë mundësia e diskutimit për njohjen reciproke dhe kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes, pastaj vijnë më lehtë çështjet tjera dhe jo të vazhdohet me çështje teknike të cilat i kemi diskutuar tash e dhjetë vjet, në Bruksel”, u shpreh Thaçi të mërkurën, pas takimit me Lajçakun,

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi udhëtoi nga Prishtina për në Beograd. Ai do të takohet atje me Presidentin Aleksandar Vuçiq dhe me autoritete të tjera të Serbisë.

(r.m.)

Comment

*