Lamtumirë Dr. Mulosmani

Nga Moza Boletini

Pak ditë më parë në Massachusetts të SHBA, u nda nga jeta mjeku i njohur shqiptar Sokol Idriz Mulosmani, ku jetonte prej disa vitesh së bashku me familjen e tij. Ishte një largim i hidhur e i papritur që la në pikëllim bashkëshorten Zamirën, vajzat Valbonën, Pranverën, dhëndrin Armel Ruka e mbesën e vogël Grace Ruka, të cilët u kujdesën për të gjitha nderet e shërbimet e fundit, siç i ka hije një patrioti shqiptar. Në pamundësi për të qenë prezent në këtë ceremoni, vëllezërit dhe motra e tij Zorada, dërguan kurora me lule të freskëta. Edhe pse kohë pandemie, vizitorët ishin të shumtë në funeral, sigurisht duke zbatuar masat, oraret e distancat e përcaktuara për COVID-19. Familjarë e dashamirës të Dr. Sokol Mulosmanit, kishin udhëtuar nga shtete të ndryshme të Amerikës për t’i dhënë respektin e lamtumirën e fundit.
Dr. Sokol Mulosmani lindi në Tiranë në vitin 1948. Në kujtim të vëllait të dashur, vëllezërit Lirim dhe Ilir Mulosmani pritën ngushëllime tek lokali “Avdi Rexha” në Bujan të Tropojës. Dr. Mulosmani vinte nga një familje me tradita të shquara atdhetare dhe trashëgoi vlerat më të mira të prindërve dhe paraardhësve të atij trualli emërmadh, Tropojës historike.

Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë, punoi si mjek në Lezhë, për të vazhduar më tej në Tiranë si specialist i talentuar në institucionet e shëndetit publik, deri në Ministrinë e Shëndetësisë. Gjatë kësaj periudhe kreu disa specializime pas universitare ku më kryesori ishte ai i pneumatologjisë. Për shumë vite punoi me zell e përkushtim në Spitalin “Shefqet Ndroqi” duke krijuar profilin e njërit nga pneumatologët më të shquar të këtij institucioni në shkallë vendi. Një mik i të ndjerit në Facebook, Z. Hysni Osmanaj shkruan: “Mbi të gjitha Dr. Sokol Mulosmani do të mbahet mend nga kolegët, bashkëpunëtorët dhe pacientët e shumtë për thjeshtësinë dhe vlerat e tij humane”.

Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vajza e madhe Valbona, e cila e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe, mes fjalëve
të tjera e quajti të atin e saj dhe shokun e jetës të nënës së saj idhull, engjëll ndriçues, gëzim e busull të familjes, që i jepte drejtim jetës tyre”.
Nuk më harrohet vite më parë në Tiranë, kur bashkëpunoja me Shoqatën e “Grave ish të Persekutuara Politike” të Shqipërisë, në një rast i telefonova Dr. Mulosmanit që të interesohej për shëndetin e një ish të burgosure politike, e cila nga torturat nëpër burgjet politike vuante edhe nga mushkëritë. Mjeku i palodhur e patriot Sokol Mulosmani i shkoi menjëherë në banesë Marie Dvoranit, e duke parë gjendjen e saj tepër të rënduar, e shtroi në Senatorium, ku u kujdes shumë për kurimin e saj.
Në emër të kësaj Shoqate, i shpreh ngushëllime bashkëshortes, vajzave dhe të afërmve të tij. E paharruar qoftë puna, humanizmi e kujtimi i Dr. Sokol Mulosmanit.

Comment

*