Lamtumirë Dritëroi ynë!

Nga ceremonia e organizuar në Filadelfia

 

Në të gjitha trojet shqiptare, kudo në botë ku jeton edhe një shqiptar i vetëm, është ndjerë me dhimbje dhe respekt të veçantë, ndarja nga kjo jetë e poetit, romancierit, publicistit, skenaristit, dramaturgut, atdhetarit të shquar – DITERO AGOLLIT. Ai u nda nga ne i rrethuar si asnjë autor dhe shqiptar tjetër, i rrethuar nga dashuria e pastër e gjithë bashkatdhetarëve. Si askush në periudhën midis dy shekujve ai na mësoi si të duam atdheun, gjuhën shqipe, jetën me gjithë larmishmërinë e saj.

Në sallën e veprimtarive të Qëndrës Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia do të organizohej lamtumira dhe nderimi i figurës së madhe të Dritero Agollit. Në krye të saj në një tavolinë ishte vendosur portreti i poetit të dashur të popullit tonë me një shirit të zi në këndin e sipërm të tij, dhe një vazo me lule. Filluan të vinin bashkatdhetarët e parë. Qëndronin paksa përballë portretit të tij, në shënjë nderimi dhe kalonin në sallën tjetër. Kështu njëri pas tjetrit dhe disa herë në grupe të vogla bashkatdhetarët shprehnin dhimbjen dhe respektin për këtë krijues dhe luftëtar të paepur për mbrothësinë e kombit shqiptar. Dritero Agolli ishte ndër autorët më të lexuar dhe të dashur të popullit tonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në këtë fillim të shekullit të ri. Dhe sekreti ishte i thjeshtë. Me penën e tij ai solli midis nesh jetën me dhimbjen dhe gëzimin e saj dhe bukurinë e gjuhës shqipe. Jo më kot studiuesit e artit të tij thonë se tek vepra e tij gjen Naimin dhe Çajupin, Mjedën dhe Nolin, Migjenin dhe Poradecin.

Pastaj, të gjithë u ngritën në këmbë dhe me një minutë heshtje nderuan jetën dhe veprën e të madhit DRITERO.

Mbi të gjitha tek Driteroi njeriu i thjeshtë gjente shokun dhe mikun, që i vinte dorën në ballë atdheut kur kishte halle, kur kishte dhimbje. E nisi rrugën e jetës si trim dhe si trim e mbylli. Faqebardhë.

Kështu duke folur lirshëm për këtë emër të madh të të njërit prej shqiptarëve të mëdhenjë të kombit tonë, të gjithë bashkë kaluan tek salla e veprimtarive ku u urganizua dhe ceremonia e lamtumirës të poetit tonë të dashur Dritero Agolli.

Ceremonin e hapi kryetari i shoqatës z. Tajar Domi i cili pasi shprehu dhimbjen për humbjen e këtij qytetari të madh të kombit tonë u kujtoi pjesëmarrësve se vetëm tre muaj më parë në këtë qëndër kishim festuar 85 vjetorin e lindjes së tij nga e cila u vendos që t’i dërgohej poetit tonë të dashur një letër përshendetëse dhe urimi për një jetë më të gjatë. Ishte vet z. Tajar Domi që ia dorëzoi letrën familjes së Driteroit në mes të muajit Nëntor, duke marrë mirënjohjen dhe respektin për këtë veprim të thjeshtë, vlerësues dhe dashamirës të komunitetit tonë për njeriun e madh të letrave dhe mendimit qytetar.

Më pas e mori fjalën z. Sadik Elshani që solli mbresat e tij nga krijimtaria e këtij autori të shquar të kombi tonë, duke filluar nga poema e tij e famëshme “Devoll, Devoll” dhe duke vazhduar me shumë të tjera dhe sidomos me romanin e madh “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo me “Njëriu me top” etj. Mbresat e tij shtriheshin në një hapsirë të gjërë kohore që niste në vitet e shkollës së mesme në Kosovë dhe vazhdonte në vitet studentore për të mos u ndarë deri në ditët tona e më së fundi deri në këtë ditë të mbrame lamtumire. Z. Sadik e mbylli fjalën e tij me disa vargje të tij kushtuar Dritero Agollit: ” Përherë do të jesh në këtë botë,/Si një trandafil në gotë,/ Poet i shpirtit të kombit tonë/…..”.

Me të njëjtën ndjenjë dhimbje dhe respekti foli edhe z. Vlashi Fili , shkrimtar dhe sekretar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Pasi shprehu ndjenjat më të larta të dhimbjes dhe respektit për këtë figurë madhore të kulturës shqiptare ai lexoi një poezi të tij kushtuar Driteroit të madh, ku ndërmjet të tjerash shkruan: “Driteroi as ka vdekur as vdes,/ Atë do ta kemi përherë midis nesh.”

Si në një ditë ngushëllimesh secili nga pjesëmarrësit donte të sillte kujtime dhe mbresa nga jeta dhe krijimtaria e poetit dhe njeriut tonë të madh. Llazar Vero solli disa kujtime të tij nga dita kur po përgatitej për shtyp poema e madhe e Driteroit “Nënë Shqipëri”, emocionet dhe këmbëngulja e poetit deri në çastet e fundit për të saktësuar çdo fjalë dhe varg. Ndërsa zonja Mirela Prifti recitoi poezinë e njohur të tij : “Kur të jesh mërzitur shumë” që është kthyer në një këngë të dashur për të gjithë me muzikën e Ardit Gjebresë.: ” …Kur të jesh mërzitur shumë,/ Në raft të librave kërkomë,/Aty do të jem fshehur unë,/ Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë./…

Sipas traditës shqiptare, i zoti i shtëpisë, Tajar Domi i ftoi për një kafe të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni. Njërëzit vinin dhe shkonin dhe fjala e mirë zinte vend në bisedat e tyre për njeriun e tyre, e dukej sikur kërkonin ta mbanin përherë të gjallë mes dashurisë dhe respektit, një dashuri dhe respekt që nuk mund të matej as me mijëra kilometra të largësisë me vendin amë, Shqipërinë.

LLAZAR VERO
Filadelfia, më 5 Shkurt

01 02 03 04 05 06

Comment

*