Lamtumirë Steve Dune (1931-2018) një avokat i shquar shqiptaro-amerikan

WORCESTER –Steve C. Dune, një avokat i shquar shqiptaro-amerikan, ka ndërruar jetë, në 27 shkurt, në moshën 86-vjeçare. Si avokat ai ka qenë partner në një nga firmat më të vjetra avokatore amerikane, Cadwalader, Wickersham & Taft në Nju Jork.
Ai lë pas, gruan e 62-vjetëve, Irene M. (Boudreau) Dune, djalin, vajzën, motrën dhe shumë nipër e mbesa.
I lindur në 1931, në Vithkuq të Korçës, ai mbërriti në SHBA në 1938, me nënën dhe motrën, ku iu bashkuan babait dhe vëllait të madh. I jati, Konstandin Dune, kishte mërguar në Amerikë që nga viti 1905.
Steve Dune u rrit në Southbridge MA dhe u diplomua në Clark University, si dhe në Shkollën e Drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut, me gradën “Juris Doctor” në 1956.
Ai iu bashkua qysh në moshën 26 vjeçare firmës së famshme avokatore, Cadwalader, Wickersham & Taft, ku u shqua aq shumë sa u ngrit në pozitën e partnerit në 1965 e shërbeu aty për më shumë se tri dekada.
Si avokat ai përfaqësoi korporata amerikane e ndërkombëtare, banka e klientë të tjerë të mëdhenj në transaksione tregëtare e financiare, me përqendrim në transportin ndërkombëtar, financime mes vendeve të ndrysh,e europiane, projekte e ndërmarrje të përbashkëta. Puna e çoi në në mbarë botën, nga Europa në Azinë e largët, në Amerikën Jugore dhe Karaibet. Ai dha mësim dhe shkroi gjerësisht në fushat e drejtësisë, ku u shqua si avokat.
Steve Dune mundi të kthehej në atdheun e lindjes, veëm në gusht të vitit 1990, kur po i vinte fundi komunizmit nbë Shqipëri. Duke qenë se kishte ruajtur gjuhën e të parëve, ai dha leksione në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë për drejtësinë dhe sistemin ligjor në SHBA.
Ai vizitoi përsëri Shqipërinë në shkurt 1991 dhe sërish në verën e vitit 1995, si jurist i përgjithshëm i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, që u themelua në bazë të Aktit për Demokracinë e Europës Lindore, nga Kongresi Amerikan.
Për sigurimin e fondit që i takonte Shqipërisë ai kishte punuar me Dhomën Tregëtare Shiptaro-Amerikane që kishte themeluar së bashku me Skënder Xhilagën, Bardhyl Tiranën e figura të tjera të shquara të komunitetit shqiptar në SHBA. Ai shërbeu si kryetar Dhomës Tregëtare Shqiptaro-Amerikane dhe i Fondit për Fëmijet Shqiptarë.
Mes çmimeve dhe nderimeve të shumta që mori gjatë jetës, Steve Dune ka qenë rregullisht i përfshirë në enciklopeditë e njohura biografike amerikane si “Kush është Kush në Drejtësinë Amerikane”, Kush është kush Financëe dhe Industri”, Kush është kush në Amerikë”, në “Avokatët më të Mirë në Amerikë” etj.
U përcoll për në banesën e fundit në 3 mars, pas një meshe për shpirtin e tij, në Kishën Ortodokse Shqiptare, në, Worcester. (Ruben Avxhiu)

One Response to “Lamtumirë Steve Dune (1931-2018) një avokat i shquar shqiptaro-amerikan”

Read below or add a comment...

  1. Hetm seiti says:

    Ngushellime familjes. U prefte i qete.

Comment

*