Propozohet ideja për ofertë të përbashkët turistike të trevave shqiptare

Kryetarët e Prishtinës, Himarës dhe Strugës kanë diskutuar për mundësitë e shfrytëzimit të të gjitha resurseve turistike në trojet etnike shqiptare.

 

Prishtinë, 12 gusht 2013 – Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, e ka promovuar idenë për një ofertë të përbashkët turistike në hapësirat shqiptare, raporton KTV.

“Për vendet shqipfolëse është me rëndësi të zhvillohet një koncept i turizmit i lidhur me mënyrën që njerëzit që vijnë në Kosovë, të shkojnë edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, dhe për tri ose katër ditë të mund të vizitojnë të gjitha këto treva. Po ashtu, duhet të përcaktohen disa nga monumentet historike që do të jenë adresë tërheqëse për vizitorë”, ka thënë ai.

Mustafa e ka promovuar këtë ide në një takim që ka pasur me kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, dhe me kryetarin e Strugës, Zijadin Sela.

“Kjo iniciativë për sivjet mund të jetë e vonë, por prapë se prapë nuk është vonë të bashkohemi dhe të diskutojmë se çka mund të bëhet në këtë aspekt, sepse njerëzit janë të interesuar t’i kalojnë pushimet në trevat shqiptare”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i Himarës, Jorgo Gora, ka thënë se duhet të gjenden rrugët e duhura që qytetarët të shfrytëzojnë në mënyrë reciproke potencialin turistik që kanë trevat shqiptare.

Ndërkaq, kreu i Strugës, Zijadin Sela, ka thënë se duhet gjendur alternativa që lidhin të gjitha vendet shqiptare dhe në këtë mënyrë të kthehet sërish interesimi për të vizituar qytetin e Strugës. (R.M.)

Comment

*