“Larg syve, larg zemrës”!

Dr.Gjylie Rexha*

Kujt nuk i kujtohet kjo shprehje dhe kush nuk e ka provuar dhe sprovuar, të paktën ndonjëherë vërtetësinë apo të kundërtën e saj?! Në mënyrat e tanishme të komunikimit ajo do të thotë: “larg rrjeteve (mediave) sociale, larg (vë)mendjes së njerëzve”. Pak për kureshtje dhe më shumë si nevojë për ta pushuar trurin, sytë dhe zemrën nga shumësia e informacionit, në maj, vendosa të shkëputem. Por vetëm pjesërisht. U largova nga rrjeti dhe komunikimi që me gjithë filtrat, prapëseprapë është kolektiv. Ruajta qasjen në Messenger, si mundësi për komunikim më personal, kur patjetër duhet dhe me ata të cilëve u duhem, e para së gjithash me ata për dhe me të cilët larg syve nuk do të thotë larg zemrës. Nuk kisha ndonjë arsye hulumtimi kur veten e bëra pjesë të këtij “eksperimenti”, gjithsesi interesant. Dhe, çfarë ndodh kur me një klik vendosni të shkëputeni?!
Sot, nuk dua të rrëfej me gjuhën shkencore, as me analiza më të thelluara për mundësitë dhe të metat e komunikimit përmes Facebook-ut, por vetëm si njëra prej miliona përdoruesve.

Varësi dhe shprehi

Dita e re, zakonisht nis me shprehi të vjetra. Vetëm kur vendos të shkëputesh e kupton varësinë. Duhanpirësit, ata që nuk munden pa kafenë e mëngjesit, apo edhe kushdo që ka zhvilluar një shprehi, më kupton për çfarë e kam fjalën. Mendja dhe duart e kërkojnë edhe pa dashje shprehinë dhe rutinën. Më ndodh edhe mua. Më tundon të shoh çfarë ka të re. Aty i kisha të gjitha, që nga ndjekja e faqeve të mediave prej të cilave informohem, e deri te produktet e ndryshme, interesi për të cilat sikur më është shtuar gjatë muajve të pandemisë. Të mos përmend pastaj risitë nga njerëzit e njohur dhe të panjohur, që nga informacionet e rëndësishme për ta, e deri tek ato më të rëndomtat (nuk dua të përdor ndonjë përshkrim tjetër për raste me të cilat thjesht nuk pajtohem!). Në fund të fundit, si njëra nga miliona përdorues, kush jam unë që të gjykoj të tjerët, për mënyrën e përdorimit të këtij dhe të rrjeteve të tjera? Në këtë hapësirë komunikimi, secili ofron atë që ka, atë që do, atë që konsideron se dëshiron të ndajë më të tjerët. Për kufizimet mund të flasim në ndonjë format tjetër diskutimi dhe analize! Pra, të jesh në rrjet do të thotë të jesh pjesë e një grupi të panumërt, të vlerësohesh dhe të të vlerësojnë përmes asaj që ofron, ndan e shpërndan. Më tundon dëshira për të vazhduar kështu. Ndoshta jo për të shkruar, ndarë e shpërndarë (edhe ashtu nuk kam qenë “shumë aktive”), por për të shfletuar dhe për t’u informuar, mësuar, gëzuar dhe normalisht edhe për t’u stresuar dhe për të arritur në përfundimin e shpeshtë: “pse dreqin humbi kohë këtu”?!

Qetësi dhe çlirim

Të kalosh fazën e parë të tundimit për t’u kthyer në shprehitë dhe rutinën, paraqet sukses të madh! Duhanpirësit ndodh që numërojnë ditët pa cigare! Për shkëputjen nga Facebook-u, numërimi mund të bëhet me ditë, për ata që nuk kanë krijuar nivel të lartë të varësisë, me orë për ata më “aktivët”, e nëse jeni në mesin e atyre që shkëputjen e llogaritni me minuta, atëherë, më vjen keq, por më dukeni të pashpresë. Unë e shoh se jam në mesin e atyre, që me pak “betejë” me veten arrij të kalojë ditën e pastaj ditët e para, pa të. Përpiqem të kujtoj anët e këqija: sa kohë kam humbur me informacion koti, sa herë jam hutuar dhe shpërqendruar nga gjëra tjera të vlefshme, sa herë jam nervozuar dhe sa herë kam marrë vesh gjëra që nuk më hyjnë fare në punë. Dhe, dua të provoj të gjej qetësi, të lirohem dhe të çlirohem nga kotësitë me të cilat mbushem këtu. Ka një formulë për këtë. Më vijnë në ndihmë njohuritë nga fusha ime. Vërtetë kam vendosur të largohem si njëra nga miliona, por nuk mund të shmang sfondin e njohurive bazë për: mbingarkesën me informacion, pasojat e saj dhe masat mbrojtëse. Filloj e përzgjedh. Kërkoj faqet që dua, adresat që më nevojiten, qofshin për media, qofshin për burime tjera informacioni online. Dhe, prapë: mbes me orë në rrjet, por tani në rrjete ku furnizohem me informacion të filtruar, që për mua është cilësor. Gradualisht e shoh se kam filluar të çlirohem nga rutina që nis me atë mendimin: “veç të shoh çfarë ka”, dhe pastaj dikur përfundon me: “pse prapë qëndrova kaq gjatë dhe humba kaq kohë”? Me kalimin e ditëve dhe javëve, vjen ajo periudha e qetësisë, kur as nuk më bie më ndërmend se aty, diku, me një klik hapet prapë bota pafund e rrjetit social. Tani edhe rolet kanë filluar të ndryshojnë. E kuptoj kur ndokush më pyet: “çfarë u bë nuk po të shoh në Facebook”, apo edhe më seriozisht: “u shqetësova se mos të ka ndodhur diçka. Ka kohë që nuk të shoh në Facebook”? Kur këtë ta thonë miqtë e zemrës, atëherë e kupton se gjendja është më serioze se e mendoje. Pra, ne kemi arritur në kohën kur një pjesë shumë e madhe e raporteve, edhe atyre ndërpersonale, është zhvendosur në rrjetet sociale. Kjo ka të mirat, por edhe të këqijat e saj, mirëpo për to ndonjëherë tjetër, në ndonjë shkrim me tjetër format! Këtu dhe tani, mjaftohem me atë gjetjen e thjeshtë që mund të jetë e vlefshme edhe për të tjerët: nëse do të shihni se kush janë njerëzit për të cilët vërtetë keni vlerë, provoni e largohuni nga rrjetet sociale. Ata të cilët do t’u gjejnë edhe jashtë tyre, janë më të vlefshmit!

Kthim, frikë, domosdoshmëri

Me raste, edhe të rëndësishme, kthimi bëhet i domosdoshëm. Në qetësinë e kërkuar që fillon e shndërrohet në rutinë të re, ndodh të mungosh edhe aty ku duhet të jesh, vetëm pse të mungonte njoftimi, që duhej ta merrje në këtë rrjet! Ndodh madje që nuk kupton as informacione për rastet kur të tjerët janë marrë me ty! Të qëndrosh jashtë rrjetit ngjason me dëshirën për arratisje në ishull, por ku pas një kohe fillon e ndjen mungesën e njerëzve. Dhe, mendoj për kthimin si zgjidhje praktike, para së gjithash. Një mbrëmje prapë me një klik rihap llogarinë time. Nuk ka ndonjë reagim të të tjerëve për momentin, por unë filloj e trembem. Ballafaqimi me arsyet për të cilat isha shkëputur më mpin dhe më tremb. Do të jetë e lodhshme edhe e mundimshme, pa çka se bëhet fjalë për lodhje dhe mundim që e kërkojmë vetë! E shoh se ende nuk jam gati dhe tërhiqem. Sa nuk më ka vërejtur ende askush se jam aty, ndjek prapë hapat e kërkuar dhe largohem/shkëputem. Por, tani, pa mëdyshje se do të kthehem. Thjeshtë më duhet edhe pak kohë sa të qartësohem me veten se në çfarë mënyre dhe me çfarë vëmendjeje do t’i bashkohem rrjetit. Dhe, mjaftojnë disa ditë për t’u bërë pjesë, e kënaqur dhe me disa “rregulla” që nuk është e thënë të jenë të vlefshme për secilin, apo që mbase pas një kohe do t’i thyej edhe unë. Por, sipas asaj shprehjes që e përdorin në vendlindjen time: “me këto mend që kam tash”, do të mundohem të menaxhoj veten. Të mos qëndroj e lidhur çdo moment për rrjetin, p.sh., të ndjek këshillën e një shoqeje: ta heq nga telefoni dhe të kam qasje vetëm kur jam afër kompjuterit. Kjo mundëson që sadopak të mos bëhem p.sh., si ata me të cilët jeni të ulur në të njëjtën tavolinë por vetëm me ta nuk jeni, sepse ata gjatë gjithë kohës komunikojnë me të tjerët të cilët i kanë në rrjet dhe jo me personat që i kanë përballë në të njëjtën tavolinë.
Do të mundohem të jam përzgjedhëse e informacioneve që lexoj. Nuk është çdo informacion i vlefshëm dhe të jesh përzgjedhëse e mirë do të thotë të kesh nivel vetëdijeje dhe dijeje që të ndihmon të ruash shëndetin mendor në botën e stërmbushur me informacion. Në kohë të tilla kjo është shumë e rëndësishme. Po ua ilustroj me një shembull të thjeshtë: në muajt e mbylljes nga pandemianë Itali është dyfishuar përdorimi i Facebook-ut. Rezultati është i pritshëm. BBC, ndërkaq, po në atë kohë porosiste audiencat që të përzgjedhin informacionet që konsumojnë për një arsye të thjeshtë: të ruajnë shëndetin mendor. Kur këtë ua thonë njerëzit e mediave, të cilët “sigurojnë bukën” nga përgatitja dhe shpërndarja e informacionit, mbase është këshillë që ia vlen ta keni parasysh!
Nuk do të përgjigjem dhe reagoj në çdo postim tuaj. Është e lodhshme për mua dhe humbje kohe. Do të ketë mungesë “like” nga unë, por kjo nuk do të thotë se nuk i pëlqej apo nuk i vlerësoj ato që shkruani. Njëkohësisht do të kuptoj kur nuk reagoni në ato që unë shpërndaj dhe kjo është diçka krejt e natyrshme për mua. Komunikimi në rrjet na jep mundësi të shpërndajmë shumë informacion, por edhe të mbajmë “frerët” mbi informacionin që ne shpërndajmë dhe kjo nis me përzgjedhjen e atij informacioni që shpërndajmë. Dhe, te kjo shpërndarje fillon gjithçka. Unë e pranoj se nuk dua të shpërndaj dhe të ndaj gjithçka këtu. Dua të mbaj, ruaj dhe dëshmoj se vazhdoj ta çmoj atë pjesën tjetër të komunikimit: kur tjetrin e shikon, ashtu si më kanë mësuar në fëmijëri “në dritë të synit”, kur çmallesh vetëm duke ndjerë mbi vete vështrimin apo prekjen e lehtë të dorës së tjetrit, kur kupton më shumë nga një dridhje e lehtë zëri se sa nga mijëra fjalë, kur mbushesh thellë frymë dhe mbyll sytë për të parë edhe symbyllur njerëzit e shtrenjtë e gjërat e rëndësishme në botën reale.

P.S. Foto nga ato ngjarjet ku niveli i vëmendjes përcaktohet nga përmbajtja në projektor!

*Autorja është redaktore në Radio-Kosovë (RTK) dhe pedagoge universitare në Prishtinë.

Comment

*