Laveri i madh i klarinetës që i ka dhënë jetë identitetit kombëtar

Laver Bariu
(2.05.1929 – 26.01.2014)

 

Nga Shefqet Saliu

Guri i çmuar e gjen vetë vendin që meriton ashtu edhe Laver Bariu. Historia përmetare dhe shqiptare e vendosi atë në elitën e artistëve popullor shqiptar. Ai është ikona e artisteve te mëdhenj shqiptar. Nga specialistët e artit e kulturës është cilësuar KOLOS i kulturës shqiptare, që i ka dhënë jete identitetit kombëtar.
Ai bëri epokë. Është personalitet i shquar i muzikës popullore shqiptare si instrumentist i muzikës popullore, veçanërisht llautës e klarinetë, po edhe si këngëtar. Kabatë e tij të emocionojnë. Këngët ‘Moj Kunadhe, Do të marr çiften do të dal për gjah ose Te rrapi në Mashkullore, kënga e Tanës”, e të tjera të bëjnë të ndalësh frymëmarrjen.
Laveri është themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit, për kohën e tij, të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Ishte një krijues i melodive e këngëve popullore, qëmtues i flokut jugut dhe dirigjent i grupit tij (sazeve) që organizoi. Ai ishte improvizues i këngëve në çdo gosti, dasmë, festë lokale apo kombëtare. Po mbi të gjitha ai ishte princi i klarinetës dhe kabasë. Me ndihmë e kompozitorit Aleksandër Peçi ai shkëlqeu.
Artisti i Popullit Laver Bariu është një klarinetist unik për trevën e Përmetit, gjithë trevat shqiptare dhe duket i tillë në tërë boten; ishte një profesor pa diplomë që u dha profesionin e tij shumë djemve të rinj. Ai i takon një epoke të caktuar, ku sfidoi tërë atë plejadë muzikologë, sidomos klarinetistë të Shqipërisë jugore e më tej, pa të dytë. Në kohën e tij, po dhe brezat e më pasëm, bënë maksimalen për të marrë nga interpretimi i tij. Diçka morën, por Usta Laverin nuk e arriti kush. Ai është nga ata talente të rrallë, të cilët lindin në kohë të caktuara dhe bëjnë epoke. Emri dhe krijimtaria e Bariut është skalitur në historinë shqiptare, po ai aktualish është po aq prezent në çdo treve etnike shqiptare. Atë e morën me vete si gur të çmuar kudo që shkuan emigrantët shqiptar të viteve ’90 në gjithë globin. Kudo ku komuniteti shqiptar është i madh, po veçanërisht në Greqi, Itali dhe Amerikë atë e njeh i madh dhe i vogël; muzikologët e rinj përpiqen ta imitojnë maksimalisht, ndërsa në Greqi edhe instrumentistët grek interpretojnë muzikën e tij. Usta Laveri është vendosur me dinjitet në panteonin shqiptar.
Laver Bariu u lind në Përmet më 2 maj 1929. Ata që e kanë njohur thonë se që i vogël tregoi një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta. Me vendosjen e familjes së tij në qytetin e Korçës (1935), iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muziktarë të shquar popullorë për kohën.
Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Kthehet në Përmet në fund të vitit 1944. Aty takohet me Usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth një vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Laveri organizon grupin e tij.
E njoha që kur isha 4 vjeç, në fillim të viteve ’50, erdhi në fshat në një dasmë te ymerët. Sazet e Përmetit tundën sokakët e kalldrëmta të Stërmbecit. Nuk di në se kishte ardhur më parë ose jo, në atë qendër të banuar, por kësaj here në ndihmë të klarinetës së tij ishin edhe lahuta, fizarmonika, defi e ndonjë instrument tjetër. I donin avazet e atij mjeshtër, meloditë e klarinetës tij dhe e stolisnin me para bujku, bariu, intelektuali. Ngriheshin në valle e kërcenin dhe i vendosnin në ballë ose në klarinetë 100 lek, 250 ose 500.
Orkestrina e tij mori pjesë në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane.
Kur shkova në gjimnazin “Sami Frashri” të qytetit Përmetit (1962) Laveri kishte një barangë këpucari druri përball oborrit shkollës. Loznim top, me ata prej llastiku, sa një grusht dhe shpesh bashkë me topin u binim edhe gurëve. Aq donin këpucët. Nga një palë kishim, me to në shkollë, me to në mbrëmje, në piknikë dhe top me to loznim. Prandaj ato hapeshin shpejt dhe shkonim te usta Laveri u fuste nja dy thumba. Të shtunave dhe të hënave nuk e gjenim aty, se zakonisht nuk e hapte “zyrën”, ikte fshatrave në dasma. Në ato dit shkonim te Stefan Paçua, babi i shoqes tonë, Vasilikës basketbolliste në pesëshen e parë të skuadrës “24 Maji”.
Më kujtohet 24 Majin i vitit 1964 kur përmetaret i gëzoheshin Përmetit të rregulluar, pas përmbytjes madhe të 1962, me një bulevard të bukur nga hoteli te lagjja “Bajame”, me heqjen e banesave të evgjitëve buzë lumit, Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”, unazës së qytetit, duke filluar sa hidhje urën metalike mbi Vjose kthehej djathta dhe shkonte deri te Guri i Qytetit, sheshit para hotelit të ri të porsa shtruar me pllaka, etj. Aty sheshi ishte mbushur plot me njerëz varganë-varganë lidhur në valle si gjerdanë fisheku dhe ai trifuator, i vendosur në një tavolinë me orkestrinën e tij në hollin e hotelit të bukur, që i mbante të lidhur e i bënte të gëzonin.
Më 1966 regjistron në Radio-Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Tash me titullin e merituar “Usta Laveri” të dhënë nga populli, siç e thërriste i madh e i vogël, ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare. E mbaj mend në orkestrën përmetare mustaqe-lliun në qendër kur dilte në festivalet e Gjirokastrës dhe gëzonte të madhe e të vogël, gjithë pjesëmarrësit me duartrokitje të zjarrta e lot në sy edhe në Shtëpinë e Kulturës, në sa e sa koncerte, në grupet folklorike, në ditë festash lokale dhe në folkun kombëtar. Shteti e beri profesionist, por ishte talenti i tij që e ngriti në maja, ndër artistët më të shquar të kombit shqiptar dhe që mahniti spektatorët kudo ku shkoi në Evropë.
Duket e çuditshme por është realitet që ato duar të nxira , me kallo, të bëra vija-vija nga spangoja që qepte e arnonte këpucë e opinga, por pasdite ose në fundjave kur ai ledhatonte klarinetën bëheshin të holla, të bukura, të ëmbla magjepsëse. Laveri i madh i klarinetës, ishte simboli që identifikoi për gjysme shekulli Përmetin dhe përmetaret dhe rriti vlerat e tyre.
Sazet përmetare ku ai ishte personazhi kryesor kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”. Ai është simbol i muzikës përmetare, i paarritshëm në interpretimin e melodive në klarinetë të cilat gurgullonin si uji i pastër i burimeve të Nemërçkës, si Vjosës me oshtimën e saj luginës së Përmetit.
Meritë kryesore e këtyre sazeve është se ato formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare. Usta Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë klarinetistëve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare. Në qytetin e Përmetit, në Çarshovë, Zhepë, Stërmbec, Draçovë, Kaludh dhe deri në Kiçok janë të shumtë klarinetistët e atij brezi që mësoi Usta Laveri.
Ai mund të cilësohet si i fundit prej ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut, thonë specialistët e fushës. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990. Ndër këngëtarët më të spikatur që kanë kënduar së bashku me sazet e Usta Laverit përmenden: në vitet ’50 Behije Roçin, Qemal Ponoçin, Aliun (i thirrur Babaçja) etj; në vitet ’60 Jorgo Çulli dhe Ilia Nasi, vëllezërit Sulejman Lame “Artist i Merituar”, Xhelal Zeqiri, Viron Tanellari; në vitet ’70 “Artisti i Popullit” Mentor Xhemali, Ylli Zeqiri; në vitet ’80 Ardiana Daci, Robert Tralo, Drini Kanani, Vaskë e Dhimitër Curri, Donika Proko-Pecollari, Anastas Naqe, Luljeta Ilia, Evgjeni Çulli, Dhimitrulla Papa etj.
Në vitin 1977, së bashku me Çobanin dhe Mentor Xhemalin, interpretojnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës. Në vitin 1989, bëhet protagonist i filmit dokumentar muzikor të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Këngët e zemrës”, me regji të Todi Bozos.
Laver Bariu u rrit nga skamja, nga puna që fëmijë me duar me kallo, por ai u bë një kolos i kulturës shqiptare, që i ka dhënë jetë identitetit kombëtar LAVER BARIU.
Në Prill të vitit 1994 u realizua CD-në muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe CD-në tjetër e realizoi në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi në vitin 1995 nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”.
Debutimi më i fundit i tyre ishte pjesëmarrja në Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2000. Dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës” (2001), po atë vit me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Usta Laveri u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit.
U shua nga jeta në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas një kapital të çmuar, veprën e tij që nuk do të tretet kurrë… Muzika e këngët e tij do të dëgjohen e interpretohen brez pas brezi për tu dhënë kuptim, gëzimeve e festave familjare e kombëtare, historisë shqiptare si një gur i çmuar i vlerave të kombit shqiptar, e që do të jehojë në përjetësi.
Aleksandër Peçi: Usta Laveri bëri epokë. Rrënjët e muzikës së tij e të Çobanit, të kabave të tyre u mpleksën me dejet e muzikës time për të mbërritur në ketë platformë të re muzikore që e quaj KABAIZMI. Rrënjët duhen ruajtur, ujitur, plehëruar prashitur vazhdimisht. Pa rrënja s’ka fruta. Usta Laveri një peme e përjetshme që nuk njeh vjeshtë me rrënjë e fruta që s’do të njohin vjeshtë falë brezave që e vlerësojnë s’kanë vdekje.
Laveri çeli si lulet në maj, kabatë përmetare me meloditë e tij që interpretohen në gëzime e derte që nuk ta vrasin veshin po të çlodhin sa herë t’i dëgjosh.

Comment

*