LB e braktis PAN-in: S’duam të jemi të varur nga Lista Serbe

Prishtinë, 5 shtator 2017 – Lëvizja për Bashkim (LB), përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se tërhiqet nga koalicioni PAN.

Si njofton nëpërmjet një komunikate për medie, LB e ka marrë këtë vendim “për shkak të konstelacionit të forcave politike të krijuar nga rezultati zgjedhor dhe, mbi të gjitha, të pozicionimit të mbrapshtë të tyre, Kosova do ta ketë një qeveri të varur nga Lista Serbe”.

“Pakicës serbe, përveç privilegjeve të padrejta juridike e politike që iu siguruan nga Pakoja e Ahtisaarit dhe nga bisedimet e Brukselit, si dhuratë nga partitë shqiptare do t’iu jepet fuqi edhe më e madhe politike”, thekson LB.

“Përderisa deri dje ata e kishin fuqinë të kushtëzonin çdo vendim të Kuvendit për ndryshime kushtetuese, prej nesër ata do ta kenë fuqinë të kushtëzojnë çdo vendim të qeverisë për çështje krejtësisht të zakonshme. Kjo situatë, për ne, është krejtësisht e papranueshme. Andaj, Lëvizja për Bashkim ka vendosur që, përkundër marrëveshjes parazgjedhore, e cila ia garantonte LB-së një ministri dhe dy zëvendësministra, të mos implikohet në asnjë formë në qeverinë e re”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

LB thotë se ka vendosur ta vazhdojë e vetme rrugëtimin e saj politik “në të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, LB nuk e ka fituar asnjë vend në Kuvendin e Kosovës. (r.m.)

Comment

*