LDK del me propozim të ri për ratifikimin e Demarkacionit

Prishtinë, 22 shkurt 2018 -Lidhja Demokratike e Kosovës, në orët e mbrëmjes, kumtoi se koalicionit qeverisës i ka ofruar zgjidhje për Demarkacionin.

Sipas burimeve të Gazetës “Express”, LDK-ja është pajtuar që të mbetet pika kontestuese në nenin 3 të Projektligjit për Demarkacionin, por ka kërkuar që raporti i Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi të kategorizohet si dokument me karakter informues.

Sipas të njëjtave burime, LDK-ja ka kërkuar që kjo të bëhet në mënyrë që ky raport të mos prodhojë asnjë efekt juridik.

Vetë LDK-ja ka thënë se ajo ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila, sipas saj, i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“LDK-ja u bën thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga LDK-ja dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse. LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së. (r.m.)

Comment

*