LDK e kushtëzon përfshirjen në dialog me Serbinë me “ristrukturimin” e qeverisë

Prishtinë, 14 janar 2019 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, e ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së kësaj partie në ekipin negociator të Kosovës për dialog me Serbinë.

Por, ai ka thënë se LDK-ja mund të përfshihet në dialog vetëm nëse vendi shkon në zgjedhje ose nëse bëhet “ristrukturimi total” i qeverisë ose i të gjitha instritucioneve të vendit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka platformën dhe dokumentin bazë lidhur me dialogun. Orientimi ynë në atë dokument është se duhet të shkohet në zgjedhje në mënyrë që të fitohet legjitimiteti politik. Nëse nuk shkohet në zgjedhje, duhet të mendohet në rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit, në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi i domosdoshëm, i cili do të mundësonte ratifikimin e marrëveshjeve”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i LDK-së e ka shprehur këtë qëndrim në një konferencë shtypi, pas takimit të tij me Grupun Parlamentar të kësaj partie.

Mustafa ka theksuar se qëndrimi i LDK-së ka qenë dhe mbetet se dialogun duhet ta zhvillojë qeveria dhe përgjegjësinë për procesin duhet ta marrë “një qeveri që duhet të jetë legjitime, e cila e përfaqëson shumicën”.

Zbutja e qëndrimit të LDK-së lidhur me përfshirjen në ekipin negociator të Kosovës për dialog me Serbinë është vënë re edhe të premten, pas takimit të drejtuesve të partisë me kryetarë të degëve.

Paj këtij takimi, Mustafa e ka zbutur qëndrimin lidhur me marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës e Serbisë. Ai ka dhënë sinjale se kjo parti e përkrah secilën zgjidhje për Kosovën që përkrahet nga SHBA-ja, qoftë ajo edhe marrëveshje për “korrigjimin” e kufijve midis dy vendeve.

“S’mund të krekosemi që ne tash i kemi do parime më të mëdha se SHBA-ja sa i përket Kosovës”, ka thënë Isa Mustafa.

LDK-ja nuk ka marrë pjesë në takimin me ekipin negociator të Kosovës dhe me drejtues të institucioneve shtetërore, të ftuar nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në këtë takim nuk ka marrë pjesë as Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton fuqishëm përfaqësimin e Kosovës në dialoun me Serbinë nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi. (r.m.)

Comment

*