LDK e quan të pavlerë turin lobues për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 7 qershor 2018 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e vlerëson të pavlerë turin e delegacionit të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për të lobuar për liberalizimin e vizave, të  ilit i prin kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se ky grup parlamentar nuk i bashkohet “turit lobues-turistik” të Veselit, sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.

“Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai ka thënë se  Veseli duhet t’i bëjë në Kosovë punët e veta si kryetar i Kuvendit dhe si kryetar i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës.

“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane. Si kryetar i partisë në koalicion, kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i prin një delegacioni të stërmadh që u nis sot për në Vjenë të Austrisë, për të lobuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Postimi i plotë i Hotit:

Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.

Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.

Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës.

Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare.

Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së.

(r.m.)

Comment

*