LDK e zyrtarizoi kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër

Prishtinë, 31 dhjetor 2020 – Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e miratoi kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se prej 94 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që kanë marrë pjesë në votim, 92 e kanë përkrahur kandidaturën e Hotit.

Sipas njoftimit, vetëm një votë ka qenë kundër kandidaturës së Hotit, ndërsa një prej votuesve ka abstenuar nga votimi.

Kjo është hera e dytë që Hoti kandidohet për kryeministër nga LDK-ja. Ai ishte kandidat i kësaj partie edhe në zgjedhjet e vitit 2014, në të cilat LDK-ja kishte dale forca e tretë politike në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar kandidatin e saj për kryeministër. Kjo parti është përcaktuar për ushtruesin e detyrës së kryetarit të partisë, Enver Hoxhajn.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetues votimin për Qeverinë Hoti në Kuvendin e Kosovës.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen më së largu 40 ditë pas shpalljes së datës për mbajtjen e tyre.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka përfunduar konsultimet me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve.

Shpallja e datës së zgjedhjeve do të bëhet menjëherë pasi aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese t’i dërgohet zyrtarisht zonjës Osmani.

(r.m.)

Comment

*