LDK është e bindur se së shpejt do të ketë zgjedhje parlamentare

Prishtinë, 31 korrik 2018 – Kuvendi i Kosovës e mbylli sesionin pranveror të hënën, me një seance maratonike për dialogun, e cila përfundoi pa miratimin e një rezolutë, e cila nuk u hodh fare në votim për mungesë të kuorumit.

Deputetët e partive në pushtet presin që në sesionin vjeshtor të ndryshojë kjo gjendje, pasi në muajin shtator pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re që parashikon edhe depytyrime për deputetët.

Por, LDK-ja është e bindur se vendi do të shkojë shpejt në zgjedhje dhe Kuvendi do ta ketë një legjislaturë të re.

Shumë lutje iu bëri një ditë më herët në seancë kryeministri deputetëve që të mos shkonin në pushime verore pa e arritur një konsensus për fazën finale të dialogut, por sesioni pranveror megjithatë u mbyll pa rezultat.

Gati dhjetë orë debat u bënë për dialogun, por në mungesë kuorumi, nuk arriti të kalonte rezoluta e kjo ishte veç një nga herët ku nismat ligjore dështojnë në mungesë votash.

LDK-ja këtë e sheh si rrugën e vetme që vendin ta çojë drejt zgjedhjeve e luten që një sesion i tillë i dobët si ky i fundit të mos përsëritet.

“Është mirë që të shkohet në zgjedhje të reja, prandaj kemi vendosur që të mos kujdesemi që ne t’ia bëjmë kuorumin shumicës për disa çështje që vijnë nga qeveria, por t’i pengojmë ato, në mënyrë që sa më parë që është e mundur ta çojmë vendin në zgjedhje, nga të cilat do të dalin institucione politike legjitime e të fuqishme”, tha për KTV-në deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Por, shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se opozita zgjedhjet po i përdor vetëm për konsum të brendshëm. Ai pret që në shtator të ndryshojë rregullorja e Kuvendit dhe deputetët të kenë edhe detyrime e jo vetëm privilegje.

“(Partitë opozitare) nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje, por vetëm po bëjnë zhurmë. Më mirë është të bëhet punë dhe të vijmë në përfundim të detyrave që i kemi dhe Kosova të ecë përpara se sa të merremni tërë kohën me kërkesën për zgjedhje dhe tërë kohën të mos jemi të gatshëm të bëjmë zgjedhje”, tha Ahmeti.

Kuvendi i Kosovës, prej janarit deri në fund të korrikut, e ka plotësuar vetëm 22 për qind agjendën legjislative.

Artan Murati nga KDI-ja thotë se statistikat nuk qëndrojnë keq, krahasuar me vitet e kaluara, por efikasiteti i Kuvendit ka qenë i dobët. Ai ka thënë se shumë punë kanë mbetur të papërfunduara e më së shumti do t’i kushtojë dështimi për të votuar disa marrëveshje ndërkombëtare.

“E kemi rastin e Marrëveshjes ‘Erazmus plus’ e cila nuk u ratifikua, prandaj studentët dhe akademikët kosovarë nuk do të kenë mundësi të fitojnë përkrahjen e ‘Erazmus Plus’ gjatë vitit 2018”, tha ai.

Murati tha se gjatë këtij sesioni janë mbajtur 260 mbledhje të komisioneve dhe 27 seanca plenare, por asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar ditën që ka filluar. (r.m.)

Comment

*