LDK hedh poshtë ultimatumin e Pacollit

Prishtinë, 9 gusht 2017 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj ultimatumit që u ka vënë asaj dhe Lëvizjes Vetëvendosje kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Kryetari i AKR-së ka thënë se LDK-së dhe Vetëvendosjes u ka dhënë 10 ditë afat që të dëshmojnë se mund ta formojnë qeverinë e re të vendit. Në të kundërtën, AKR do të dalë nga koalicioni me LDK-në dhe Alternativën.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se deri më tash nuk ka pasur ndonjë indikacion se Pacolli mund të shkojë me PAN-in dhe ta prishë koalicionin me LAA-në. Sidoqoftë, ai ka theksuar se LDK-ja nuk pranon kurrfarë ultimatumi.

“Pak po më befason kjo deklarata e Pacollit. Të paktën deri më sot ne kemi qenë unikë. Nuk ka dhe s’ka pasur ndonjë indikacion për prishje të koalicionit apo ndonjë gjë tjetër. Mirëpo, ajo që mund të them është se Pacolli dhe askush tjetër nuk mund të qesë ultimatume për LDK-në. Ne e kemi udhëheqjen tonë dhe për çdo veprim i marrim vendimet vetë”, ka thënë Veliu për Express.

Ai ka theksuar se nuk është mirë që koalicioni LAA të prishet.

“Nuk është mirë të bëhen përçarje apo ndonjë lëvizje. LAA është unik dhe kështu duhet të vazhdojë të jetë”, ka thënë ai.

Veliu ka thënë se Pacolli nuk mund të flasë për LDK-në apo për Vetëvendosjen,

“Pacolli nuk mund të flasë edhe për LDK-në dhe për Vetëvendosjen dhe të na bashkojë ose të na ndajë me qëndrime, duke na dhënë edhe ultimatume të përbashkëta”, është shprehur ai.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar se LDK-së dhe Vetëvendosjes u ka dhënë 10 ditë afat për të dëshmuar se mund ta formojnë qeverinë.

“Kam thënë se brenda dhjetë ditësh ju duhet të merreni vesh dhe nëse ju dy nuk jeni të gatshëm ta formoni një qeveri, unë nuk di çfarë kuptimi ka qëndrimi im aty”, ka thënë Pacolli. (r.m.)

Comment

*