LDK-ja kërkon zbardhjen e vrasjeve të veprimtarëve të saj

Prishtinë, 11 janar 2018 – Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të zbardhin rastet e vrasjeve të pasluftës së veprimtarëve të kësaj partie.

Kjo thirrje është bërë në 19 vjetorin e vrasjes së Enver Malokut, shefit të Qendrës për Informim të Kosovës dhe zyrtarit të lartë të LDK-së.

Vajza e Enver Malokut, Doruntinë Maloku, e cila është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se familja Maloku është në pritje të drejtësisë tash e 19 vjet.

Maloku ka thënë se LDK-ja tani është kundër komisionit hetimor për shërbimin ilegal të sigurimit, SHIK, sepse druan se ky mund të manipulohet nga PDK-ja, në shërbim të së cilës ka qenë SHIK-u.

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë lidhje me hetimin e SHIK-ut. Ne kemi qenë të gatshëm, kur ishim në Qeveri, e në atë kohë ne do të kishim shumicën në komision dhe nuk do të lejonim që të bëheshin manipulime me dëshmitë për SHIK-un. Në këtë kohë, kur Kadri Veseli kërkon të formohet komisioni për hetimin e SHIK-ut, ne jemi kundër. Nuk do të lejojmë që PDK-ja ta krijojë komisionin për ta hetuar vetëveten”, ka thënë Maloku.

Ndërkaq, deputeti e sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka theksuar se bardhja e rasteve të vrasjeve të pasluftës, të cilat konsiderohen vrasje politike, nuk është bërë për shkak se kjo ka qenë kundër interesin të një pjese të skenës politike të Kosovës.

Në 19-vjetorin e vrasjes së Enver Malokut, përfaqësues të LDK-së ënë homazhe dhe vendosën lule te lapidari i tij. (r.m.)

Comment

*