LDK-ja nuk pajtohet që Thaçi ta ushëheqë dialogun me Serbinë

Prishtinë, 25 qershor 2018 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një komunikate për opinionin, ka bërë të ditur se nuk pranon që presidenti Hashim Thaçi t’i udhëheqë negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë. Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës”, thekson partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës.

Ajo rikujton se Kuvendi i Kosovës, si institucion kryesor vendimarrës, nuk e ka miratuar ende platformën për dialog me Serbinë dhe as e ka autorizuar Thaçin ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog.

Komunikata e plotë e LDK-së:

Ne besojmë se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjin tonë verior, Serbinë. Dëshirojmë të përshëndesim angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë.

Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria.

Ndërkaq, platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë.

Rrjedhimisht, presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës.

Kështu që, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës.

LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë. Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës.

LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, theksohet në komunikatë, dhe përfundon se “Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira.

(r.m.)

Comment

*