LDK kritikon qeverinë për rishikimin e buxhetit

Prishtinë, 3 korrik 2013 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se rishikimi i buxhetit të Kosovës për këtë vit, ashtu siç është propozuar nga Qeveria, nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.

Ky vlerësim është publikuar nga grupi i ekspertëve të ekonomisë, i themeluar nga kryesia e partisë, me qëllim të vlerësimit profesional të punës së dikasterëve të Qeverisë së Kosovës që merrn me çështje të ekonomisë dhe financave.

“Edhe me rishikim, ky buxhet mbetet buxhet që thellon varfërinë dhe pabarazinë në mes të qytetarëve”, ka thënë kdrejtuesi i këtij grupi, Abdullah Hoti, gjatë publikimit të analizës para përfaqësuesve të medieve.

“Me rishikim zvogëlohen mjetet për investime kapitale dhe rriten mjetet për mallra e shërbime dhe për paga”, ka theksyuar shefi i grupit të ekspertëve.

“Ky rishikim nuk e prek pjesën e të hyrave”, tërheq vërejtjen ky grup, duke shpjeguar se në rishikim nuk janë përfshirë fare të hyrat nga doganat, nga shitja e aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës (PTK) dhe nga shitja e distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka thënë ai.

“Qeveria po i mashtron qytetarët e Kosovës duke miratuar buxhet të lartë, i cili shkurtohet vazhdimisht”, thuhet në analizën e ekspertëve të LDK-së.

Ekspertët e LDK-së e kritikojnë Qeverinë e Kosovës se me këtë rishikim po i thellohen më shumë dallimet mes komunave. Ndërkaq, Ministrinë e Infrastruktutës e kritikon se nuk i ka alokuar ende 5.1 milionë euro të buxhetit të saj, me qëllim që këto mjete t’i ndajë për qëllime politike, duke i orientuar në komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet.

Ata e kritikojnë qeverinë edhe për “shpërfilljen e procedurave ligjore për rishikimin e buxhetit”. Në analizën e tyre thuhet se komunave u është kërkuar që për tri ditë të rishikojnë buxhetet e tyre, ndërsa me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale kërkohet që ftesat për mbledhje të kuvendeve komunale t’u dërgohen këshilltarëve së paku 7 ditë më herët.

Abdullah Hoti ka paralajmëruar se grupi i ekspertëve të LDK-së po punon intenzivisht në përgatitjen e një buxheti alternativ, në të cilin do te përfshihen alternativa të qarta të planifikimit të buxhetit.

R.M.

 

Comment

*